~ Zonja Z ~

Prima balerina

(mesazh për Zonjën Z)

 

Mos prit nga unë të të them që je e bukur, siç bëjnë gjithë të tjerët. Ata që edhe sikur të sfiliten, nuk mund të shohin përtej asaj që u kapin sytë.

Bukuria është vetëm një çast, një imazh që fiksohet në mendje. Më pas çasti kalon. Harrohet. Si shumë imazhe të tjera që janë tretur nën gërryerjen e heshtur të kohës, asaj tinëzares dinake që nuk kursen askënd.

Ndërsa unë të dua përgjithmonë. Të të gjerb, ngadalë dhe ëmbël, si kafen e ngrohtë herët buzë liqenit. E më pas, të humb rrugën në kopshtin tënd dhe symbyllur të kërkoj orkidenë e egër. Të bukurën e brishtë, aroma e të cilës të deh edhe nga larg. Dhe aty të të pres në ankth, nëse do të jem i përzgjedhuri yt që të më flladitet shpirti në puhizën e dihatjeve tua.

Dua të jem matadori yt.

I pashpresë se do ta përballoj sfidën e radhës. Por i lumtur se mbi shpatën time do të thyhesh dhe ngjitesh përsëri, si një balerinë që vallëzon vetëm në cepin ku takohen lumturia dhe trishtimi.