~ Zonja Z ~

Pëshpëritje në errësirë

Përtej çdo dyshimi, Z-ja donte të besonte se unë e dashuroja dhe se e pranoja për atë çka ajo ishte. E vërteta ishte se e dashuroja shumë më tepër sesa mund t’ia shprehja me fjalë, por, përkundër dëshirës së madhe dhe zgjedhjes me kujdes të fjalëve, nuk besoj se ia kam arritur t’ia shpreh.

Më pyeste sa e dashuroja, pse e dashuroja dhe si e ndieja unë atë. Donte të dinte për të gjitha fantazitë e mia, deri në detajet më të imëta. Dhe më pas, sa herë që bënim dashuri, më kërkonte që të gjitha t’ia pëshpëritja në vesh.

“Kur m’i shpreh ndjenjat dhe më tregon për dëshirat e tua deri në detajet më të imëta, më ndez flakë më shumë se të gjitha gjërat më epshndjellëse që kam provuar deri tani,” – më thoshte ajo.

I përvidhesha nga anash dhe i pëshpërisja për të gjitha ndjenjat dhe fantazitë e mia, e ndizesha edhe unë si asnjëherë më parë. Vazhdoja kështu derisa ajo më vendoste gishtin e saj tregues mbi buzët e mia si për të më thënë se tani dëshironte që të gjitha sa i kisha pëshpëritur t’ia përktheja në gjuhën e pafjalë të puthjeve, ledhatimeve dhe gjithçkaje tjetër të butë e të këndshme që mund të më binte ndërmend. Vetëm atëherë më lejonte që ta përfshija të tërën. Në të vërtetë ishte ajo që më përfshinte mua.