~ Zonja Z ~

Përballja e fundit

Askush nuk di të tregojë saktë se çfarë ndodhi me Z-në. Dihet vetëm se ishte e premte dhe deti shumë i trazuar, frynte erë e fortë dhe dallgët ishin të larta dhe të fuqishme. Gjithçka kishin gjetur janë rrobat e saj që i kishte zhveshur para se të futej në det dhe librin tim të preferuar “Ditari sekret” i Pushkinit, në mes të fletëve të të cilit kishin gjetur edhe letrën e saj të lamtumirës. Shumëkush kishte pyetur pse kishte zgjedhur pikërisht atë libër, por unë e dija të vërtetën: ishte mesazh për mua.

Z-ja asnjëherë nuk kishte besuar në zgjidhje të lehta, prandaj nuk kishte zgjedhur litarin, një plumb në tëmth, të pinte një grumbull me hape apo diçka tjetër të ngjashme.

Ajo zgjodhi të luftonte edhe në aktin e saj të fundit dhe nga kjo botë parapëlqeu të dilte me një përballje të lodhshme dhe të frikshme me dallgët e detit. Më duket se e shoh duke u kacafytur me fuqinë e llahtarshme të stuhisë,  duke dashur që edhe në atë situatë të dëshmonte se ajo ishte ndryshe nga gjithë të tjerët.

Gjithnjë kam dyshuar në motivin e vërtetë pse Z-ja kishte vendosur që të mos i shkruante më bisedat tona. Arsyetimi i saj se trembej se të tjerët do të frymëzoheshin në rebelim asnjëherë nuk më është dukur bindës. Kur tani i lexoj tre shënimet e fundit të saj e ndiej se ajo e kishte ndarë mendjen qysh më herët. Z-ja thjesht kishte kohë që nuk ndihej pjesë e kësaj bote dhe ishte ngopur me dhimbjen dhe lodhjen shpirtërore që shoqëria jonë gjithnjë ia servirte.

Kjo botë jona, shumë e vogël në pamje dhe shtrirje, por me një ego të madhe, të stërmbushur me smirë, intriga dhe energji negative për çdo gjë dhe për hiçgjë, thjesht nuk pati vend për dikë si Z-ja. Dhe ajo e dinte. Ashtu siç dinte se ky rrethi ynë ta pranon vlerën vetëm pasi më parë të dërrmon e të copëton shpirtin; nuk i kursen fjalët e mira vetëm kur të heq qafe dhe të thur himne vetëm kur të vdesësh.

Ndihem shumë keq që nuk i dhashë rëndësinë e duhur hidhërimit të saj me gënjeshtrën time. Z-ja kishte nevojë të madhe që çdo gjë mes nesh të ishte e vërtetë, të ishte ndryshe nga çdo gjë tjetër. Por, në të njëjtën kohë, një zë brenda meje më thotë se Z-ja e ka ditur se unë nuk do të mund t’i shkatërroja shënimet e saj, prandaj dhe më futi në atë situatë. Një kurth dinak që të gjente një arsye për të më larguar nga vetja, në mënyrë që ajo të mund të vazhdonte me synimin e saj.

Edhe pse ndiej shumë dhimbje, nuk ndihem i trishtuar. Ndihem thua se ajo përsëri më ka vënë në sprovë nëse do të kem forcë të përballem me lukuninë që e çoi drejt vendimit fatal. Ndihem i mllefosur kundër të gjithë atyre që drejtuan gishtin mbi shpirtin e saj të lirë. Ndihem i tërbuar kundër atyre që nuk bënë as përpjekjen më të vogël për ta kuptuar.

Por, pyetja që asesi nuk i bishtnoj dot është: a mos vallë edhe unë jam pak fajtor?