~ Zonja Z ~

Para Z-së

E sugjestionojmë veten se nuk mund të ngrihemi më në këmbë, se bukuria nuk na bën më asnjë përshtypje. Vullnetshëm arratisemi në një botë imagjinare, edhe pse e dimë që ajo nuk na fsheh dot. A mund të fshihemi nga vetja jonë? Ia dimë përgjigjen kësaj pyetjeje, prandaj edhe heshtim; ajo vetëm sa na shton inatin. Ndërkohë diçka na shtyn të bëjmë gjëra të çmendura, që, aty për aty, na duken sfiduese – ngazëlluese, por që trishtojnë. Gjithçka, vetëm që të harrojmë. Më pas e urrejmë veten për kokëkrisjet tona, pasi e dimë që problemi është diku tjetër. Është diçka që na gërryen në thelb dhe që nuk mund të zëvendësohet me asgjë: kemi humbur besimin në dashuri, ndaj i largohemi jetës.

Para Z-së, kështu isha, njësoj si shumë të tjerë që mbushin pub-et dhe klubet e natës. I hidhëruar me tërë botën festoja në dehje dhe dafrunga pafund. Qeshje dhe lot. I paaftë që të kuptoja se ku mbaronte njëra dhe ku niste tjetra. Por netëve, kur heshtnin zhurmat që më fshihnin nga bota, atëherë më zinte pusi jeta ime e vërtetë: I kisha të gjitha dhe përsëri ndihesha thuajse pa asgjë; bëja shtatë palë qejfe dhe përsëri ndihesha i trishtuar; më dëshironin, por unë nuk dëshiroja askënd. Gjithnjë isha në kërkim të diçkaje, ndonëse nuk e dija saktësisht çfarë dhe ku ta kërkoja. Mungesa më vinte herë në trajtën e një dore ledhatare, që më fshikte në dremkat e mia e më bënte të hovja i trembur, herë në trajtën e një siluete të pakapshme, që nata ma formësonte e dita ma zhbënte. E megjithatë kisha pak besim se kjo gjendje mund të ndryshonte. Isha zhgënjyer aq shpesh në jetën time saqë nuk besoja më se diku ekzistonte njeri për mua.

Meshkujt përgjithësisht janë të etur për të patur sa më shumë përvoja dhe partnere seksuale. Ky është dëfrimi kryesor për ta, madje, për disa është edhe maksimumi i ambicies. Doemos, pakëz i tillë isha edhe unë, por, përpos këtij instinkti për shfrenim, unë ëndërroja që një ditë të takoja një grua, me të cilën të dashuroheshim pa kushte, pa vrarë mendjen për të tjerët. Të lirë.

Gjatë bredhjeve të mia nga një shtrat në tjetrin, e ndieja se më shumë jepja sesa merrja. Prandaj, me kalimin e kohës fillova të krijoja distancë ndaj çdo kujt. Nisur nga vetja, nga neglizhenca që kisha treguar ndaj ndjenjave dhe shtytjeve shpirtërore, bëja supozimin e gabuar se kështu duhet të ishin të gjithë. Nuk u besoja femrave, sepse në radhë të parë nuk i besoja vetes sime. Kërkoja femrën ideale, edhe pse vetë isha shumë larg mashkullit të përkryer.