~ Zonja Z ~

Pafytyrësia joshëse

(shënimi i parë i Zonjës Z)

 

Mikeshat e mia thonë se një femër nuk duhet të tregohet kurrë e sinqertë me mashkullin e zemrës pasi atij do t’i rritet mendja. Kurse unë dua të të tregoj pse ti je i rëndësishëm për mua.

Më pëlqen sepse je artist, por jo vetëm kaq. E kam ëndërruar një mendimtar në jetën time: dikë që di t’i japë kuptim çdo rrethane. Por rëndom, mendimtarët janë shumë të mërzitshëm, prandaj ajo pjesa e artistit është e domosdoshme. Edhe mendimet më të sofistikuara kanë nevojë për pak zbukurim. Unë vlerësoj jo vetëm fjalën dhe veprimin, por edhe mënyrën si thuhen e bëhen ato.

Ke imagjinatë të bujshme, por njëherësh je edhe shumë dembel. Fshihesh prapa justifikimit se tërë kohën të duhet një frymëzim, edhe pse e di shumë mirë se ty nuk të duhet askush dhe asgjë. Më pëlqen kjo lojë jotja, dembelizmin tënd me çdo kusht do ta justifikosh me diçka, si një mënyrë që pa u vënë re ta vësh veten në qendër të vëmendjes.

Je shumë këmbëngulës deri në kokëfortësi dhe joshës deri në cingërisje nervash.  Është tërheqës jë burrë që di ta përdorë kokëfortësinë e vet, nëse di ta dallojë kufirin e hollë midis asaj dhe të qenit një kokëderr i shpifur.

Je shumë i sjellshëm, jo vetëm para syve të botës, por edhe kur jemi vetëm. Më pëlqen që çdo ditë të më vardisesh, thua se duhet me çdo kusht që të ma fitosh zemrën edhe njëherë nga fillimi.

Je dhe i pacipë. Pafytyrësia jote është ndjellëse: ti as nuk përpiqesh ta fshehësh se tërë kohën mendjen e ke te seksi. Në sytë e tu shihet një dëshirë e përhershme, në çdo kohë dhe në çdo vend, sikur e ke shpirtin në fyt e nuk mund të presësh as edhe një sekondë të vetme. Veçse kur bëjmë dashuri, ti nuk ngutesh. Pret, dëgjon frymëmarrjen time, ndien dhe më lë të kuptoj se aty je vetëm me mua dhe vetëm i imi.

Mbi të gjitha, më pëlqen që mes nesh në mënyrë të natyrshme mbin një botë e rehatshme, ku mund të jem vetja ime, pa frikë se mund të lëndohem. Ëndrra ime ishte të gjeja dikë me të cilin do të ndihesha e lirë. Sa herë që ne jemi bashkë jam vetvetja: ashtu siç jam dhe ashtu siç dua të jem; as tepër e egër dhe as tepër e çiltër.

Ti je ndryshe. Meshkujt premtojnë lumturinë, por bëjnë pak përpjekje që t’i kuptojnë ato gjëra të vogla e të thjeshta që japin vërtet kënaqësi. Mjaftohen me dhurata dhe nuk e shohin të arsyeshme të japin edhe diçka nga shpirti i tyre. Nga thatësia e dhuratave të tyre, unë shndërrohem në mermer të ftohtë.

Më quan magjistricë, sepse arrij të të mbaj zgjuar, por nuk duhet ndonjë magji e madhe për ta bërë këtë. Pavarësisht imazhit që tërë kohën përpiqesh ta projektosh për veten – si njeri i sigurt dhe që kinse e di se çfarë bën dhe do nga jeta – e vërteta është se edhe ti, si shumë të tjerë, je një fëmijë i llastuar. Dhe fëmijëve u hapet goja për gjumë, por vetëm me një dredhi të vogël ata zgjohen sërish deri në mëngjes. Pak përkëdhelje, pak fjalë të bukura dhe të tjerat më pas i bën vetë, sepse është në natyrën tënde të llastohesh. E megjithatë mua më pëlqen kur ti më quan magjistricë.

Duke qenë se po ngulmon, do ta bëj atë që më kërkon. Të gjitha bisedat tona të netëve të vona, do t’i mbledh diku.

Nuk e di se çfarë ke ndërmend të bësh me shënimet e mia, por, për aq sa kam mundur të të njoh, jam e sigurt se do ta ndjekësh pikë për pikë këshillën e Pikasos: “Një artist i keq kopjon, ndërsa një artist i mirë vjedh.” Por nuk do ta zë për të madhe edhe nëse i “vjedh” shënimet e mia. Këto mendime nuk janë vetëm të miat, këto mendime janë dhe të tuat.