~ Zonja Z ~

Pafajësia e gënjeshtrës

(shënim i shkurtër i Zonjës Z)

 

Një femër ka fuqi të mbyllë kapitullin e një historie të pakëndshme, ka fuqi të dëgjojë një përgjigje që nuk i pëlqen dhe të mos e hapë më atë temë. Nuk e di nëse e njëjta mund të thuhet edhe për ju, pasi në imagjinatën tuaj, po ju vetë krijoni fantazma, prej të cilave më pas nuk mund të liroheni. Përballë një realiteti të tillë një femër nuk ka zgjidhje tjetër pos që të tregohet e kujdesshme dhe disa gjëra t’i kalojë në heshtje. Ashtu siç kam bërë sa herë edhe unë. Megjithatë nuk kam hequr dorë nga ëndrra që një ditë të takoj një mashkull me të cilin mund të flas lirshëm për çdo gjë, pa u trembur se do të paragjykohem. Një mashkull me të cilin do të mund të ndaj si historitë dhe idetë e mia më të çmendura. Një mashkull me të cilin do të mund të jetoj e lirë.