~ Zonja Z ~

Kursemë

(mesazh për Zonjën Z)

 

Të lutem, mos më pyet se çfarë je ti për mua!

Për ta bërë këtë, do më duhej të shqyeja kraharorin tim që ti të ndieje se si tërë kohën zemra ime thërret vetëm emrin tënd. Nuk mund as të të kthej prapa në kohë që ti të shohësh se si isha unë më parë: i mbërthyer në kthetra të përditshmërisë mbytëse; vetëm një frymë më shumë që endej poshtë e lart bulevardit.

Mos më pyet se çfarë je ti për mua!

Nuk di si të ta tregoj, sepse, për ta bërë këtë, do të më duhej që ëndrrat e mia të t’i shfaqja ty dhe ti ta shihje veten si shkëlqen në secilën prej tyre. Të bindeshe se edhe në ankthe, mendoj vetëm për ty.

Kursemë nga kureshtja jote, sepse nuk kam forcë të të mohoj asgjë. Dhe do të më duhet të sajoj ndonjë fjalë të madhe, por përsëri, as atëherë, nuk do t’i avitem të vërtetës që flakëron zemrën time.

E vetmja gjë që mund të të them është se ti më mbush me jetë.

Të lutem, mos më pyet!