~ Zonja Z ~

Kureshtja e pavend

(shënim i shkurtër)

 

Ne, meshkujt, kemi kureshtje të pafund që të bëjmë pyetje për çdo gjë: për gjëra nga e shkuara dhe e tashmja, për mendime, dëshira dhe ëndrra të një femre. Më pas nuk mund t’i përballojmë përgjigjet. Pavarësisht asaj çka deklarojmë se jemi mendjehapur dhe të mirëkuptueshëm, se e duam ashtu siç ajo është, më të gjitha të mirat dhe të këqijat , në të vërtetë, duam të dëgjojmë vetëm ato përgjigje që na përshtaten.

Disa nga miqtë e mi më pyesnin shpesh se si i përballoja takimet me ndonjë nga ish-të dashurit e saj, sipas tyre kjo duhej të ishte shumë e sikletshme. Disa të tjerë më thoshin se nuk mund ta imagjinonin veten përkrah një femre që kishte shkuar me shumë meshkuj. Të dyja këto çështje më bënin të qeshja, pasi nuk e kuptoja logjikën e tyre.

Pse duhej të turbullohesha përballë ndonjë ish-të dashuri? Vetë fjala “ish” nënkuptonte të gjitha arsyet pse kjo çështje nuk do të duhej të më prishte punë. Ndërkaq çështja e dytë ishte aq e kotë sa nuk e meritonte as të komentohej. Sipas meje vetëm dikush që nuk është i sigurt në ndjenjat e veta gjen kohë e vullnet të merret me fantazma nga e shkuara. Ai që dashuron vërtet, jeton në të tashmen dhe i gëzohet të ardhmes.