~ Zonja Z ~

Iluzioni

(shënim i shkurtër i Zonjës Z)

 

Për shkak të moralit sipërfaqësor të shoqërisë tonë shqiptare, martesa nga një institucion, që, sa për sy e faqe, të gjithë e zënë në gojë, po kthehet në një iluzion dhe dekor. Jo pak nga meshkujt e fuqishëm, qoftë të politikës, biznesit apo të artit, edhe pse martohen, vazhdojnë të shkojnë me femra të tjera. Në publik, tërë kohën luajnë rolin e burrit besnik, ndërkaq gratë e tyre, edhe pse e dinë të vërtetën, janë të kënaqura, sepse së paku në pamje të jashtme gjërat duken në rregull.

Për më tepër, këta burra që luajnë rolin e bashkëshortit ideal, pas një kohe shtëpinë e kthejnë në një bazë të sigurt, vetëm për gjumë dhe për t’u ushqyer. Disa nga këta meshkuj nuk mund të bëjnë seks me gratë e veta, mbase për shkak se ajo është përherë në shtëpi dhe nuk paraqet kurrfarë sfide. Të vetmet aktivitete që mund ta bëjnë me to janë: sa herë që vjen koha për furnizime të frekuentojnë hipermarketet, të paraqiten së bashku në vizita familjare, dasma dhe funerale.

Kaq!

Po të njëjtët, bëhen dashnorë ëndrrash, të kujdesshëm, të zjarrtë dhe përherë të gatshëm për seks, kur kjo është pjesë e një aventure apo e diçkaje të ndaluar për ta.

Nuk dua të përgjithësoj, pasi edhe unë besoj se ka meshkuj që janë ndryshe, por të gjithë e dimë se gjërat janë pak a shumë kështu. Nuk dua të shkruaj hartim a të shes edhe unë moral për këtë dukuri të shpifur. Secili çift i di më së miri punët e veta dhe secila femër duhet të vlerësojë vetë se çfarë është dhe çfarë nuk është e pranueshme për të. Por, së paku le të na kursejnë nga gënjeshtrat e kinse lumturisë së tyre.

E ke vënë re se kur japin intervista të gjitha çiftet VIP thonë të njëjtën gjë: Ne jemi shumë të lumtur; ne kemi një marrëdhënie shumë të hapur; ne gjithnjë e mbështesim njëri-tjetrin… Të gjithë duan të tregohen të përsosur, çifti ideal. Më vjen për të vjellë! Sipas këtyre në mesin tonë nuk ka asnjë çift normal: njerëz që zihen e duhen, i bërtasin njëri-tjetrit e pastaj, pasi pajtohen, bëjnë seks si për herë të parë.