~ Zonja Z ~

Gabimi

Këtu përfundojnë shënimet e Z-së, edhe pse me të drejtë mund të duket se rrëfimi i saj ende nuk ka filluar mirë e se gjërat më të rëndësishme kanë ngelur pa u shkruar. Por, besoj se deri tani e ke kuptuar edhe ti që Z-ja nuk është dikush që i jep llogari dikujt  apo ka dëshirë të arsyetohet mbi veprimet e saj. Kur e pyeta se pse nuk vazhdoi t’i shkruante shënimet e veta, më tha se kishte ndryshuar mendje dhe se mendonte që bota nuk duhej t’i lexonte mendimet e saj. Ajo trembej se dikush do të frymëzohej dhe sipas saj nuk do të fitonte gjë nga rebelimi:

“Rebelimi është një sipërmarrje shumë e shtrenjtë, sepse nënkupton një faturë shumë të madhe që jo secila mund ta përballojë. Është një përpjekje e vazhdueshme, plot dhimbje dhe sfida sfilitëse. Bota i adhuron rebelet, por askush nuk e do dhimbjen që ato ndiejnë. Nuk dua që dikush tjetër të ndiejë dhimbjen që jetoj brenda meje!” – këto ishin fjalët e saj teksa kërkoi nga unë që t’i shkatërroja shënimet që më kishte dërguar ndërkohë.

Por, edhe pse e kisha të rëndë që të shkoja kundër vullnetit të saj, unë nuk iu binda, sepse besoja se shënimet e Z-së ishin me vlerë. Për më tepër besoja se bota duhet ta njohë Z-në. Mbase rebelimi sjell dhimbje, por a nuk është ky një nga ligjet themelore të natyrës? Çdo ndryshim, madje edhe ardhja në jetë e një shpirti të ri, kalon nëpër një fazë dhimbjesh të papërshkrueshme, por në fund, atëherë kur del në breg, e sheh se ia ka vlejtur.

Kështu mendoja aso kohe dhe me këtë e arsyetova vendimin tim që të mos i shkatërroja shënimet e Z-së. Po njësoj arsyetova edhe vendimin tim që ta gënjeja Z-në. I thashë së i kisha djegur shënimet e saj, duke menduar se në një fazë të mëvonshme do ta bindja që kisha vepruar drejt. Kjo gënjeshtër e vogël e imja, edhe pse e ngjizur me qëllime të mira, u bë shkak që Z-ja të ndryshonte tërësisht qasje ndaj meje. Të kota ishin të gjitha përpjekjet e mia që ta bindja për të kundërtën. Më akuzoi se edhe unë isha si të gjithë të tjerët dhe se, në vend që të mendoja për të dhe për ndjesitë e saj, po mendoja vetëm për veten dhe karrierën time.

Ajo që aso kohe nuk mund të parashikoja qe shkalla e lartë e zhgënjimit të saj me mua. Refuzimin tim që t’i shkatërroja shënimet e saj si dhe gënjeshtrën time të mëpasshme, Z-ja e kuptoi si zhvlerësim të intimitetit dhe besimit të ndërsjellë që kishim krijuar mes njëri-tjetrit. Më tha se ndoshta do të mund të pajtohej që shënimet e saj t’i përdorja diku, por asnjëherë nuk do të mund të më falte pse e kisha gënjyer. Sipas saj, në raportin tonë kishte vend për gjithçka pos për gënjeshtra, pavarësisht sa të pasherr ato mund të duken.

Z-ja ishte e vendosur në qëndrimin e saj, ndërsa unë tepër krenar për të pranuar se kisha gabuar. Nuk mund të arsyetoja gjithë atë reagim të sajin, e tëra m’u duk shumë e tepruar, prandaj dhe u tregova kokëfortë, por kryelartësia ime, Z-së ia theu edhe më shumë zemrën. Mbase e tëra do të mund të zgjidhej me një “më fal” të sinqertë, me një hap përtej inatit të çastit, por, kur më ra ndërmend të bëja këtë, tashmë ishte vonë. Sado që kisha dëshirë të besoja se isha ndryshe, në fund edhe unë isha bërë si të gjithë të tjerët që Z-ja i kishte njohur: Egoist dhe kryelartë.

Z-ja nuk mundi më të më shihte njësoj si përpara. Pas kësaj, mes nesh u krijua një distancë që kulmoi me ndarjen tonë. I vetmi kontakt që më ngeli me të ishin disa takime të rastësishme ku ajo gjithnjë më injoronte. I kam dërguar edhe një mori mesazhesh, por kot: ajo asnjëherë nuk më ktheu përgjigje.

Në ditët e para pasi Z-ja u largua, isha i bindur se mosmarrëveshja jonë do të ishte kalimtare. Besoja se ajo do të kthehej, kur e pashë se kjo nuk do të ndodhte, atëherë fillova të mendoj se me kohë do ta harroja dhe do të vazhdoja tutje. Edhe kjo ishte një lajthitje e radhës nga ana ime: Z-ja nuk u kthye, ndërsa unë nuk mund ta harroja atë.

Në një lojë të paparashikuar të fatit, tashmë jam brenda qerthullit të vetmisë sime.