~ Zonja Z ~

Edhe njëherë nga fillimi

(fjalët e fundit të Z-së)

 

Dikur pandehja se lumturia nuk i anashkalon ata që besojnë në dashuri e që natyrshëm janë të hareshëm. Por, e hidhura e kësaj bote është se këta sfidohen më së shumti dhe nuk mund t’i shmangen përplasjes së vazhdueshme me shkëmbinjtë e pamëshirshëm dhe të thepisur të jetës. Ashtu jam përplasur dhe jam thyer e copëtuar kushedi sa herë edhe unë. Kjo nuk do të thotë se unë nuk besoj në dashuri. Përkundrazi! Veçse, tani besoj se zemra jeton në një botë tjetër që nuk ka lidhje me realitetin tonë. Në një botë ku koha nuk lëviz. Në një ëndërr ku gjithçka vazhdon të jetë e ngrirë në ndjenjat e magjisë së fillimit, atëherë kur gjithçka duket aq e lehtë. E tillë është një zemër që dashuron, e bukur në naivitetin e vet. Prandaj edhe vazhdon të dashurojë, madje edhe atëherë kur çdo gjë i thotë të kundërtën. Vazhdon të bëjë këtë derisa një ditë gjithçka që dikur ishte e bukur dhe plot me pasion, lodhet e shembet brenda vetvetes.

Tërë jetën jam mbrojtur nga ata që kanë dashur të vjedhin diçka nga shpirti im dhe nga ata që kanë dashur të më ndryshojnë në thelb, duke më gjykuar pothuajse për çdo gjë. Por më së shumti jam përpjekur që të mbrohem nga dëshpërimi që më ka ndjekur pas sa herë jam ballafaquar me këta njerëz.

Nuk mundem më!

Para të tjerëve, i përmbaj lotët, por lotët e shpirtit, ata që derdhen brenda meje, janë shumë më të trishtueshëm, Rrjedhin si një lumë i nëndheshëm dhe i tërbuar që dufin e vet e shpërfaq pa rënë në sy.

Më parë e kisha shumë të lehtë ta bindja veten se mund të mësohesha të jetoja me dhimbjen brenda vetes. Thosha: “Ndrydhe dhimbjen. Përplase kudo që të mundesh.”

Nuk mundem më!

E kam kuptuar si mund të jetohet me dhimbjen: frymon, derisa një ditë as këtë s’e bën dot më.

Duke shkuar nga trazimi në trazim, në fund fillon ta pyesësh veten: A është dhimbja i vetmi specialitet në menynë e kësaj jete? Ndihem e gërditur nga kjo mënyrë të jetuari.

Nuk mundem më!

Të gjithë kemi dëshirë të vlerësohemi për atë çka jemi me të vërtetë. Nuk duam që të tjerët të na shohin me sytë e botës, sepse e dimë që ata janë përplot me keqkuptime dhe intriga. Por, a nuk jemi edhe ne pjesë e botës? Apo gjithsecili nga ne reagon vetëm atëherë kur edhe vetë bëhet viktimë e tyre?

Jam lodhur nga hipokritët që e ushqejnë këtë botë smirëzezë.

Nuk mundem më!

E kam kuptuar se sado që të përpiqet një njeri i vetëm nuk mund ta ndryshojë botën. Një situatë dikton tjetrën dhe kështu vazhdon varg aq sa në fund njeriu duhet të jetë i lumtur nëse së paku ia ka dalë që edhe vetë të mos bëhet ashtu siç është bota.

Edhe pse në shumëçka kam dështuar, shumë ëndrra janë arratisur nga unë dhe sot jetoj një jetë krejt ndryshe nga ajo që ëndërroja, nuk ndiej keqardhje a pendesë për ndonjë gjë. Nuk bëj pjesë në ata njerëz që mendojnë se po të ktheheshin prapa në kohë, do të ndryshonin gjithçka. Që të ndryshoj unë dhe të bëj zgjedhje të tjera, do të duhej të ndryshonin edhe njerëzit përreth meje. Ndërkaq, u bë ç’u bë, kjo bota jonë e vogël nuk ndryshon, sepse, në fund, të gjithë do të bëjnë të njëjtat veprime. Dhe atëherë unë do të reagoj njësoj.

Ndihem e trishtuar.

Nuk shoh rrugëdalje.

Dhe për këtë ndonjëherë trembem.

E ndiej zjarrin në shpirt dhe acarin në gjoks.

Një flakë e gjallë që digjet brenda një kafazi të akullt.

Dua ta nxjerr zemrën nga kraharori e ta lë të lirë.

Të lirë që të marrë malin, pa frikë se do ta gjykojnë si të çmendur.

Të lirë nga dhimbjet dhe trazimet, sepse e di që e nesërmja nuk do të sjellë asgjë të re.

Jam e lodhur nga jeta që vazhdon e rëndomtë kudo dhe kam filluar të kem frikë nga mendimet e mia. Nuk dua të përfundoj si disa që kanë rënë në dashuri me ëndrrën për lumturinë, ndërkaq nuk e jetojnë kurrë as dashurinë, as lumturinë.

Trembem nga gjumi, sepse e di që do të përtoj të zgjohem në mëngjes. Prandaj, do të doja që sonte të mos isha fare këtu dhe si me magji të zgjohesha diku tjetër. Diku ku do të mund ta nisja edhe njëherë nga fillimi.