~ Zonja Z ~

Dua të besoj

“Do të më intrigonte ajo femër që nuk do të mjaftohej vetëm me vëmendjen time. Dikush që do të kërkonte diçka më shumë nga unë, nga vetja dhe nga jeta. Do të dorëzohesha përballë asaj që nuk do të ndalej para asgjëje, që nuk do të turpërohej nga natyrshmëria e vet. Por druaj se kjo është vetëm një ëndërr dhe se një femër e tillë ekziston vetëm në filma dhe romane.”

Këto fjalë i kam shkruar para se të takoja Z-në, në një kohë kur vërtet besoja se në këtë botë nuk mund të ekzistonte dikush si ajo. Por, sapo e takova dhe këmbeva disa fjalë me të, e ndjeva se Z-ja ishe ajo që do t’u bënte hije të gjitha femrave të tjera të jetës time. Asaj do t’i dorëzohesha.

 Atë ditë i shkrova një mesazh:

“Nuk dua të bëhem aq i pafuqishëm sa të mos të të mohoj dot asgjë.

Nuk dua që zemra ime të jetë një lodër më shumë në kthetrat e tua.

Grua leopard,

e egër dhe e pamposhtur.

Të lutem, më kurse!”

Ajo e lexoi, por nuk më ktheu përgjigje. Për të ma shtuar kureshtjen apo për ta dëshmuar fuqinë e saj mbi mua, pak rëndësi ka. Më në fund kisha rastin të jetoja ëndrrën time, edhe pse një pjesë e imja ende nuk e besonte dot krejtësisht. Përpëlitesha në dilema e dialogë pa përgjigje.

Tregomë, e dashur: ti, ekziston vërtet?

Duhet ta di.

Pa ty gjithçka tretet në çast, thuajse krejt bota pushon së qeni.

Nga frika sajoj arsye vetëm për të shkëmbyer një mesazh me ty.

Më duhet të ajros mendimet dhe shpirtin, sepse bëhet vapë dhe zagushi. Endem mes një mjegullnaje, nga zemra që më digjet prush dhe nga mendja që po më luan rrengje.

Më trego: ti, ekziston vërtet?

Duhet ta di.

Kam nevojë ta dëgjoj nga ti.