~ Zonja Z ~

Diktatura e të dëshpëruarve

(shënim i Zonjës Z)

 

Të gjithë flasim për lumturinë, por shumë pak prej nesh e jetojnë atë dhe kanë guxim të bëjnë të domosdoshmen për ta arritur. Të kërkosh lumturinë është një ndërmarrje e rrezikshme, sepse ka rrezik të zhgënjehesh: jo me lumturinë si ndjesi, por me njerëzit përreth teje. Njerëzit, në vend të gëzohen, në të vërtetë të kanë zili për lumturinë dhe do të të luftojnë tërë kohën. Do ta bëjnë këtë haptas dhe tinëzisht, para dhe pas shpine, kështu do të detyrohesh të heshtësh, të bësh kujdes e të ngurrosh që ta shfaqësh lumturinë. Do të bëhesh fatkeq. Kësaj i thonë ta gjesh lumturinë vetëm për ta parë se si ta rrëmbejnë para syve.

Aq shumë janë mbërthyer në trishtim dhe të jetuarit u është bërë aq i mërzitshëm saqë futja e hundëve në punët e tjetrit është i vetmi argëtim që u ngjall ndonjë emocion. Përgojimet, thashethemet, intrigat – njëjtë si ajo reklama televizive “3 në 1” – janë sporti më i përhapur popullor. Të gjithë krahë për krahu, të bashkuar në shkatërrim.

Trishtohem, sepse pavarësisht sa përpiqemi që jetën tonë ta veshim me individualitet, në të vërtetë jetojmë nën diktatin e dëshirave, mërive dhe tekave të të tjerëve. Të atyre që gjithnjë janë të pakënaqur, të atyre që tërë kohën i fusin duart dhe hundët në punët e të tjerëve, të atyre që kanë hequr dorë nga lumturia.

I gjithë ky shtjellim është goxha ironik. Njeriu jeton brenda hiçit, përherë në pritje që të ndodhë diçka e bukur, pastaj tmerrohet nga një mundësi që i jepet edhe pse ka tërë jetën që e pret. Ndryshimi për mirë përjetohet si traumë. Kështu mendojnë e jetojnë të dëshpëruarit dhe presin që edhe  të tjerët të bëjnë njësoj:

Kjo është diktatura e të dëshpëruarve.