~ Zonja Z ~

Dialog në kryqëzim të botëve

Unë: Si mund ta ndiejë njeriu mungesën e dikujt që ia thyen zemrën, që shkel mbi gjithçka dhe që e merr për të mirëqenë?

Zonja Z: Këtë pyetje bëj tërë kohën dhe nuk gjej dot përgjigje.

Unë: A thua dashuria është vetëm një formë e marrëzisë? Marrëzi e veshur me petk të dëlirësisë? Marrëzi që ta deh shpirtin dhe të shtrin mbi shtratin me gjemba ku plagët të kullojnë, si plagë vdekjeprurëse që nuk i ndien deri sa bëhet tepër vonë?

Zonja Z: Për këtë ndonjëherë unë trembem nga dashuria, sepse ajo ka fuqi të tmerrshme transformuese: Njeriun e hareshëm mund ta kthejë në një depresiv të shpifur; njeriun e kujdesshëm deri në detaje mund ta kthejë një lolo tërësisht të shkujdesur; një njeri të mençur mund ta kthejë në budalla; një të pasur brenda një nate mund ta kthejë në të varfër… I bën të gjitha këto dhe shumë më shumë se kaq. Shkrimtarët si puna jote, artisti im i dashur, duan të na bëjnë të besojmë se dashuria e ka fuqinë e transformimit edhe në kah të kundërt. Nuk e di, mbase dhe mund të jetë e vërtetë, por mua nuk më ka ndodhur e as nuk e kam parë diçka të tillë. Së paku jo në këtë realitet ku unë frymoj.