~ Zonja Z ~

Dashnorja e shefit

(shënim i shkurtër i Zonjës Z)

 

Një femër shqiptare, nëse është e varur nga puna, pavarësisht sa e zonja dhe e dijshme, ballafaqohet me kushtëzime aspak dinjitoze.

Shpesh jam gjetur përballë situatës ku me mua kanë dashur të abuzojnë vetëm e vetëm pse janë ndier të fuqishëm. Sapo shefi ka kuptuar se kisha pak ambicie për të përparuar në punë, menjëherë e ka marrë guximin të më tregojë rrugën më të shkurtër drejt suksesit: bëhesh dashnorja e shefit dhe më pas sukseset vargëzohen varësisht prej angazhimit që e tregon në shtratin e tij.

Nuk ka gjë më të pështirë se sa një mashkull që sapo zotëron pak pushtet e para, nis të mendojë se kjo i jep të drejtën që ta fusë atë veglën e vet kudo t’i pëlqejë. Nuk ka gjë më të këndshme se sa t’ia përplasësh të vërtetën në fytyrë këtyre njerëzve.

Nuk e kam bërë se kam dashur ta luaj rolin e shenjtores. Madje ndonjë nga këta shefat edhe mund të më ketë pëlqyer, por gjithnjë më kujtoheshin fjalët e një mikeshës sime, e cila e gjendur përballë një situate të ngjashme thoshte: “Nuk e kam problem të bëhem dashnorja e shefit, sepse, e vërteta është që shefi është tip i lezetshëm, por çfarë të bëj nëse ndërkohë ndërrohet shefi dhe në vend të tij vjen një katundar barkalec që kundërmon erë mishi dhe hudhre.”

Duke i lënë shakatë mënjanë, kot flasim për emancipim dhe barazi midis sekseve, derisa këto pisllëqe vazhdojnë të ndodhin para syve të të gjithëve. Shumë mendojnë se ato që përballen me këtë problem i kanë provokuar vetë shefat, prandaj ato janë të detyruara të heshtin, ndërsa shefat barkalecë mund të vazhdojnë të shpresojnë se fati do t’u ecë te viktima e radhës.