~ Zonja Z ~

Çfarë ia merr frymën një mashkulli?

Bukuria?

Një mashkull mund të tërhiqet drejt bukurisë, por bukuria nuk mjafton. Ka aq shumë kukulla të bukura, secila më plastike se tjetra, që parakalojnë bulevardeve si në sfilatat e sezonit. Të bukura për t’u parë, por të hidhura dhe të tharta për t’u shijuar.

Mençuria?

Një mashkull gjithnjë do të sfidohet nga një femër e mençur, por as mençuria nuk mjafton. Ka aq shumë statuja kohësh moderne që kur është fjala për punë të botës, dinë të analizojnë edhe detajet më të vogla, ndërsa kur përballen me sfidat e jetesës në çift stepen dhe nuk dinë nga t’ia fillojnë. Frymëzuese nga larg, por të ngurta dhe të ftohta për ta ndarë më të bukurën e shpirtit me to.

Çfarë atëherë? Çfarë ia merr frymën një mashkulli?

Shpirti i butë dhe përherë i freskët i një zonje të vërtetë, që ndihet dhe jo domosdoshmërisht shihet. Një urtësi e thellë që asnjëherë nuk imponohet. Një mirëkuptim që duam ta ndiejmë te miku ynë më i mirë. Një buzëqeshje mikluese që ndjell afri të pakushtëzuar dhe që vetvetiu ngacmon shpërthime pasioni. Një entuziazëm që përherë zbulohet nga fillimi dhe që asnjëherë nuk është i njëjtë. Vetëm një zonjë e tillë ta merr frymën. Vetëm një si Z-ja që nuk ngurron t’i japë krahë djaloshit rebel që fshihet brenda meje. Pavarësisht se një ditë do të plakem, do të tkurrem e do të tretem, përkrah një zonje të tillë do të ndihesha i ri.