~ Zonja Z ~

Bukuria e fshehtë

Mendjelehtat nxitojnë të tërheqin vëmendje, ndërkaq një zonjë e vërtetë kërkon vetëm respekt. Nuk kërkon rrotullime kokash, se thjeshtësia e saj natyrshëm bie në sy. Kjo është Z-ja. Pak e shkujdesur, sepse nuk beson në rregulla. Një grua e lindur për të jetuar gjallërinë e jetës dhe për të vallëzuar me notat e muzikës së shpirtit, sekretin e së cilës e dinin vetëm mjeshtërit e vjetër. E dashuruar me lirinë e vet. Dhe do të bëjë gjithçka në mbrojtje të saj, sepse ajo e di, më shumë se kushdo tjetër, se bukuria ushqehet nga liria. Në çdo hap që hedh, ndihet magjia e  bukurisë së fshehtë, bukurisë së vërtetë të një femre që nuk mund të përmblidhet me sy. Kjo është pjesa e paarritshme e ekstazës që nuk mund të përjetohet në shpërthime epshesh. Aroma që të çorienton të gjitha shqisat, sharmi që ta deh shpirtin dhe epshndjellja që ta luan tepelekun e kokës. As edhe orgazmat e njëpasnjëshme nuk i afrohen dot kësaj ndjesie.

Pikërisht kjo bukuri e fshehur që një femër e bën të jetë femër, e vlerësuar dhe jo vetëm një objekt gjahu. Të jetë diçka më shumë, mëlmesa magjike me të cilën gatuhet nuri i bukurisë. Ndoshta, për ata që përtojnë ta lodhin mendjen me një koncept të ri, të gjitha këto janë dërdëllitje koti, sepse në sytë e tyre bukuria është vetëm imazh. Por duhet të kesh më shumë se sy për të parë bukurinë e fshehur. Të duhet ajo gjëja e ngrohtë që të digjet në qendër të gjoksit me flakë të butë dhe të këndshme, saqë nga kënaqësia të ligështohen edhe gjunjët. Këtë ndjesi unë e kam pasur që në takimin e parë me Z-në dhe vazhdoj ta kem ende.