~ Zonja Z ~

Brishtësia

(shënim i shkurtër i Zonjës Z)

 

Është shumë e lehtë ta thyesh zemrën e një femre. Merr pak pakujdesi dhe e përzien me doza harrese. Pret pak që këto dyja të shkrihen me njëra tjetrën dhe më pas, në vend të tharmit, i shton pak arrogancë. Aty këtu, i hedh sipër ndonjë fjalë të pamenduar, ndonjë flirt apo shikim provokues me dikë tjetër. Dhe të gjithën e vulos me bërtitje, të përzgjedhura me kujdes nga arsenali: “Sulmi është mbrojtja më e mirë”. Nuk duhet asgjë më shumë. Gjëra të imëta, por të vrazhda e therëse, sepse një zemër e dashuruar është e brishtë. E bukur dhe e brishtë. Nuk mund të jetë ndryshe, sepse vetëm një e tillë mund të dashurojë çmendurisht dhe pa hile.