~ Zonja Z ~

Bota nuk mjafton

Shumë njerëz e përjetojnë botën si diçka të madhe, si një kaos të zhurmshëm dhe të frikshëm, si një kërcënim, prandaj vullnetshëm fshihen brenda guaskash imagjinare. Por Z-ja nuk është e tillë. Asaj bota nuk i mjafton. Ajo ndihet si një zog deti, krahëgjatë dhe e lindur ta sfidojë kaltërsinë e qiellit.

Z-ja është mishërim i guximit të fshehur në shpirtin e çdo femre. Një qenie e mbërthyer në zinxhirët e ndryshkur të provincialitetit. Një grua e lindur para kohës së vet, sepse bota shqiptare ende nuk është gati për vrullin dhe forcën e saj. Rrethi ku ajo jeton, pavarësisht përpjekjeve të saj, thjesht nuk e lë të jetë vetvetja. Z-ja e di këtë, prandaj edhe zgjedh të rrijë e e vetmuar. Si një margaritar i çmuar në fund të oqeanit.

Të gjithë kemi nevojë që së paku një herë në jetën tonë, të takojmë dikë si ajo. Dikë që i turbullon ujërat, jo për të trazuar mendjen, por për ta kthjelluar atë. Për të kuptuar nevojën se duhet sfiduar njëtrajtshmëria dhe, mbi të gjitha, për të respektuar dhe për të vlerësuar të bukurën.