~ Rebelimi i Lúlus ~

Stenogramet e shpirtit tim

Të gjithë mendojnë se unë shkruaj, por e vërteta është se vetëm mbaj shënime, stenograme të shkruara drejt e në shpirtin tim për të gjitha ato që ndiej e mendoj, ndonëse ndjenjat dhe mendimet jo rrallëherë bëhen shkak që të stigmatizohem, të bëhem delja e zezë e shoqërisë. Të shkruarit është përmasa e vetme në të cilën mund të përjetoj lirinë time. Aty ndihem i mbrojtur nga negativizmi i atyre që janë të bindur se u takon e drejta që njerëzit dhe gjërat t’i ngjyrosin vetëm bardhezi. Por, më e rëndësishmja është se vetëm në këtë hapësirë mund të vazhdoj t’i dua ata që më lëndojnë dhe më zhgënjejnë. Prandaj ka kohë që e kam ndarë mendjen: nëse nuk do të mundem të jetoj ashtu siç dua, së paku do të shkruaj vetëm atë që vërtet ndiej e mendoj.
Fjalët e mia janë një ditar intim në varg të lirë. Dhe, vetëm për disa pjesëza nga ky ditar, marr guximin që t’i ndaj me botën, ngase ndonjëherë trembem nga drejtimi që marrin mendimet dhe ndjenjat e mia. Nëse i shpalos të gjitha, jo vetëm që nuk do të mbetej më asgjë që do të mund ta cilësoja si diçka vetëm timen, por edhe druhem se ato fare lehtë mund të përdoreshin kundër meje.
Nëse ndihesh i ndryshëm nga të tjerët apo e percepton botën në një mënyrë tjetër, pakkush të mirëkupton. Çuditërisht, pothuajse të gjithë e konsiderojnë të mirëqenë faktin se duhet doemos të japësh një shpjegim për arsyen përse nuk pranon të shkrihesh e, pse jo, të marrësh deri edhe nuancat e identitetit kolektiv. Në këtë ngulmim të tyrin janë aq agresivë, a thua se rezistenca jote qenka ndonjë lloj rreziku i afërt për të tjerët. Dhe, nëse nuk pranon t’u bindesh, atëherë do të të luftojnë njëlloj siç më luftojnë edhe mua, por edhe këdo tjetër që nuk i druhet idesë për të qenë vetvetja.
(Lulu)
Fjalët pas shpine dhe damkosja e tjetrit nuk janë më vetëm rrjedhojë e një mendësie të mjerueshme provinciale, por kanë marrë trajtën e një mekanizmi të sofistikuar që nuk synon asgjë më pak se helmimin e zemrave të njerëzve, në mënyrë që të marrë kontrollin mbi mendjet dhe zemrat e të gjithëve. Dhe, sikur të isha treguar vetëm pakëz i dobët, edhe unë do të isha bërë lëndë e parë për këtë makineri të madhe të helmimit masiv, prej kohësh zemra ime do të ishte tkurrur e rrëgjuar nga heshtja e limontia dhe me siguri që do t’i kisha braktisur ëndrrat dhe mendimet e mia.
Shpesh më kap një mllef i madh: çfarë iu duket vetja këtyre që mendojnë se iu detyrohem një shpjegim? Kur, assesi nuk dua t’i përmbahem skemës së tyre dhe të bëhem pjesë e njëtrajtshmërisë së pangjyrë që ata projektojnë? Pikërisht te dara e mllefit tim zënë fill shpërthimet prej rebeli, që askurrë nuk mund të pajtohet me këtë logjikë imponuese. Këto shpërthime, që nuk janë asgjë tjetër veçse ulërima të shpirtit tim, kanë si zanafillë rravgimet e çdo çasti për t’u çliruar nga kjo frymë ngulfatëse që mundohet të më mbytë. Nga mbyllja brenda një guaske të padukshme, të përbërë nga trysnia e negativitetit të derdhur në atomet e botës reale, por edhe në bitet e panumërta të botës virtuale. Përballë këtij uzurpimi të madh të hapësirës së domosdoshme për ta ndier veten vërtet të gjallë, për mua, e vetmja rrugëdalje fshihet në përgjigjen e pyetjeve: Sa e fuqishme është imagjinata ime krijuese? A do t’ia dal, vallë, që, së paku të rezistoj brenda kufijve të botëve të reja që krijon pena ime?
E ndiej se duhet t’u qëndroj besnik ndjenjave dhe mendimeve të mia, sepse, në një kohë si kjo e jona, kur pothuajse të gjithë merren vetëm me tregti (nuk e kam fjalën për tregtinë e mallrave, por për tregtinë e qokave, ndereve, fjalëve, borxheve, thashethemeve dhe, në fund, edhe të ndjenjave), të shkruash, të krijosh diçka, është një formë rezistence: një përpjekje për ta shkundur limontinë dhe shtirësinë që ka kapërthyer jetën tonë, këtë të keqe pasive që gjithnjë e më shumë synon të lëshojë rrënjë e të zërë vend si diçka e përhershme.
Personazhet e mia, në mos tjetër, kanë gjakun tim. Ata janë pjesë e rëndësishme e asaj që jam, prandaj protestojnë tërë kohën. Edhe ata, njëlloj si unë, janë të revoltuar pse shtirësia gjithnjë ia del mbanë ta shfaqë veten si diçka e zakonshme, si një gjë që nuk mund t’i shmangesh e se do të vazhdojë deri në amshim. Nëse e ngre zërin dhe ankohesh se kjo gjë nuk është aspak ashtu si duhet të jetë, vihesh në shënjestër për t’u qesëndisur si Ai-që-s’na-tha-një-herë-ndonjë-të-re. Fjalët “skemë”, “ngulfatje”, “realitet i pangjyrë”, “përditshmëri e zymtë” dhe simotrat e tyre janë përsëritur aq shumë, saqë tani shihen vetëm si klishe, prandaj realiteti ynë (të cilit atributet e lartpërmendura i shkojnë përsosmërisht) ka kohë që është pranuar si gjëja më normale e mundshme. Dhe, kur jonormalja pranohet si diçka e mirëqenë, atëherë nuk ke më se çfarë t’i bësh shtirësisë! Për mua, kjo paraqet majën e dinakërisë mendjehollë, me anë të së cilës shtirësia e mbron veten duke na detyruar të zmbrapsemi dhe të heshtim, kur e dimë fort mirë se heshtja përballë shtirësisë është luftë kundër vetes. Sidomos atëherë kur ajo synon të lëshojë rrënjë dhe të bëhet pjesë e zakonshme e dekorit të përditshmërisë sonë.
Mos mendo se nuk jam orvatur të përshtatem dhe të gjej një kompromis mes asaj që më klithte shpirti dhe formatit skematik ku synonte të më kufizonte mjedisi im. Ishte një kohë kur edhe unë kam dhënë shpjegime dhe, ndonëse nuk jam ndier se jam me faj, kam pranuar të ulem në karrigen e fajtorit. Ndërkaq, nuk fitova ndonjë gjë me këtë punë. Çfarëdo që të bëja, asnjëherë, asgjë, nuk ishte e mjaftueshme për të ngopur oreksin e atyre që nuk reshtnin së ngulmuari në qëllimin e tyre për ta tëhuajtur thelbin e qenies sime. E vetmja gjë që fitova, ishte një ndjenjë pasigurie tërësisht e panevojshme.
(Lulu)
Sa e vërtetë është që vetë ne bëhemi bashkudhëtarë me ankthet tona, sepse, atëherë kur lejojmë që ndjenja e fajit të na bëhet pjesë e përditshmërisë, ajo nis e merr trajtën e një përbindëshi, që tërë kohën na rri nën shtrat, dhe bëhet burim i vetvetishëm i pasigurive të pakuptimta.
Kam mësuar se shoqëria jonë zotëron një aftësi të jashtëzakonshme që të të infektojë me ndjenjën e poshtër të mosbesimit ndaj vetes, aq sa ndihesh i lodhur dhe i mposhtur nga pakënaqësia e vazhdueshme dhe sakaq e sheh veten në një gjendje të tillë, ku e ke tejet vështirë të dallosh ndonjë cilësi te vetja.
“Çfarë nuk shkon tek unë?” – kjo është pyetja që edhe unë ia kam bërë vetes.
Sa herë që dilja përballë pasqyrës, shihja dikë që ngjante si unë, por e ndieja se ai nuk isha më unë. Ky dytëshor imi më akuzonte për tradhti. Plot maraz ulërinte se kisha bërë kompromise dhe se ia kisha kthyer shpinën çdo ideali dhe çdo ëndrre që dikur moti patën qenë edhe të tijat. Përballë tij, gjithmonë rrija i pafjalë! E dija se ai kishte shumë të drejtë dhe kjo më krijonte vetvetiu një ndjesi pakënaqësie të paprovuar ndonjëherë më parë. I mposhtur nga kjo ndjenjë e pakënaqësisë së vazhdueshme, e gjeja veten në një shteg që më çonte drejt një të ardhmeje ku të gjithë lumenjtë e dëshirave dhe të ëndrrave të mia rridhnin vetëm drejt Detit të Vdekur.
(Lulu)
Gjithkush nga ne synon të jetë i lumtur. Ky është një instinkt themelor i çdo qenieje njerëzore. Por, arrijmë dot ta gjejmë lumturinë, nëse nuk arrijmë ta nxjerrim jashtë përmes fjalëve atë që na shqetëson, që na shkakton emocione negative?
Jo!
Thjesht, edhe sikur të ndihesh Superman, nuk mund të jesh i lumtur nëse jeton brenda një mjedisi që të shtrëngon të ndihesh në gabim dhe tërë kohën në faj, pa arsye, duke të injektuar pamëshirshëm ndjenjën e keqe të inferioritetit. Dhe çfarë bëjnë ata që ndihen inferiorë? Heshtin përballë çdo padrejtësie. Kështu kam heshtur edhe unë derisa, një ditë, nuk mund të hesht më, sepse një heshtje e tillë është vetëm ftesë për një vdekje të parakohshme.