~ Rebelimi i Lúlus ~

Shënim i autorit

Ideja për këtë libër më pati ardhur gjatë një mëngjesi të hershëm kur, duke kundruar veten në pasqyrë, pata vendosur që të flas me projeksionin tim në atë sipërfaqe të qelqtë reflektuese, pa keqardhje dhe pa ndonjë kujdes nëse fjalët e mia ishin korrekte apo jo. Ajo që më pati habitur ishte fakti se kjo përvojë nuk përfundoi me ndonjë monolog, por me një dialog shumë të fortë, pasi kisha ndjesinë se edhe imazhi im në pasqyrë kishte shumë gjëra për të më thënë gjithashtu. Kisha përshtypjen se të dy qemë ngërthyer në një vorbull që po na i thithte pa pushim energjitë pozitive dhe po ashtu ishim në kërkim të zërit tonë të munguar të protestës.

Kjo letër e gjatë, drejtuar Lulus, asaj që do të duhej të përfaqësonte thelbin më të fisshëm të qenies sonë, është ngacmuar nga zbrazëtia përmbajtësore që ka uzurpuar atë pak hapësirë krijuese që sot mund të ofrojë realiteti i djerrë shqiptar.

Afërmendsh që konteksti është imagjinar, por duhet ta përmend faktin se narratori është veçse një alterego imja, që, ndryshe nga unë, nuk ngurron t’i thotë ato që, për arsye nga më të ndryshmet, rëndom unë i kaloj në heshtje.

Tiranë, 15 tetor 2015