~ Rebelimi i Lúlus ~

Ndryshimi (nuk) vjen nga poshtë

Po aq sa dua të besoj se zgjidhja e problemeve tona do të vijë nga poshtë, në të njëjtën kohë jam shumë i vetëdijshëm se ndryshimi i vërtetë mund të vijë vetëm nga lart!

Të gjitha revolucionet tona janë të paracaktuara për dështim, sepse, brenda kornizave të sistemit aktual, pa i çmontuar tërësisht rrjetet dhe polet e fuqisë joformale, pa e modernizuar prej së vërteti shoqërinë tonë, sikur edhe më i miri nga ne të ngrihet deri në majë të piramidës së pushtetit, e tëra që mund të bëjë është se vetëm do t’ia zërë vendin liderit. Dhe, fatkeqësisht, me kalimin e kohës, do të shndërrohet në mishërimin e të gjitha zhgënjimeve tona.

Mjerisht, çdo revolucion yni i ka ngrënë kokat e bijve të vet, sepse, duke mos njohur asnjë model tjetër veç atij në të cilin jemi rritur, me të arritur në majë të piramidës, sikur vetëkënaqemi dhe, me kalimin e kohës, bëhemi si ata kundër të cilëve kemi ngritur krye.

Përgjegjësia për suksesin apo dështimin e çdolloj përpjekjeje që mund të bëjmë është tek ata që janë lart, që në të vërtetë ndodhen në vendin ku mund të bëjnë diçka dhe që kanë fuqinë për ta bërë ndryshimin. Por kam frikë se jo vetëm liderët aktualë, por madje edhe secili idealist që mund të ngjitet deri në majë të piramidës së pushtetit, nuk do të (mund të) tregojë vullnet për ta bërë ndryshimin e vërtetë. Në fund, të gjithë, me vetëdije, do të zgjedhin që të shohin vetëm interesin e tyre të ngushtë.

(Lulu)

Ka ardhur koha për një hero pozitiv!

Koha kërkon dikë që do të marrë guximin dhe do të dalë nga kornizat e skenarëve të parashkruar nga elitat tona.

Koha kërkon dikë që do të refuzojë ta kuptojë pushtetin si një mënyrë jetese, dikë që është i vetëdijshëm se për të krijuar diçka duhet shumë dashuri, përkushtim dhe kujdes. Dikë që do ta respektojë dinjitetin tonë si njerëz dhe që do të mund të na bëjë të besojmë përsëri se, megjithatë, në këtë vend dhe në këtë shoqëri, ka diçka të mirë për të cilën ia vlen të angazhohemi dhe të sakrifikojmë.

Ne, që jemi bërë si Vladimiri dhe Estragoni, të ngujuar në një pritje të pafund, kemi nevojë për dikë që e di se nuk jemi këtu që dikush të bëhet lider mbi shpinën tonë. Duam dikë që do të na mirëkuptojë edhe atëherë kur ne e shajmë.

Kemi nevojë për një hero të tillë, për dikë që me shembullin e tij do ta thyejë këtë cikël të së keqes, që gjithnjë e gjen mënyrën për të zënë vend në majë të piramidës.