~ Rebelimi i Lúlus ~

Nata mes së hënës dhe së martës

(Lulu)

Më shikojnë çuditshëm!

Iu dukem i pakëndshëm,

thuase tek unë ka diçka refuzuese, tepër perverse për shijet e tyre, të pavetëdijshëm se ato janë qëmoti të kalbura në mykun e një kohe të tejshkuar.

Mbase ju duket se vuaj nga një tip çmendurie ngjitëse që mund t’i prekë të gjithë, prandaj, kaq cekët dhe fort lehtë, më akuzojnë, më gjykojnë dhe, po të njëjtit, vetë më dënojnë.

Sipas shenjtërisë së rreme të parimeve të tyre, po gabove ta kundërshtosh këtë teatër prej gjyqi, vetëm sa dukesh edhe më shumë fajtor.

Në djall të mallkuar, le të shkojnë!

Ç’dinë ata për ferrin shpirtëror nëpër të cilin kam kaluar, që ta marrin guximin për të më gjykuar?