~ Rebelimi i Lúlus ~

Masturbimet e atyre që rrinin lart

Nëse nuk jemi në gjendje të ndiejmë dhimbjen dhe vuajtjen e tjetrit, nëse vendosim ta kthejmë kokën anash edhe atëherë kur e ndiejmë atë, atëherë kurrë nuk do t’ia dalim të çlirohemi nga kthetrat e këtij fashizmi të heshtur që na ka kapluar dhe as që do t’ia dalim ndonjëherë të konsolidohemi si shoqëri e qytetëruar.

Ne mund ta quajmë veten me çfarëdolloj emri të bukur, por themeli i domosdoshëm, që një shoqëri të mund të qytetërohet, ndërtohet mbi aftësinë e elitave për të kuptuar dhe bashkëndier dhimbjen dhe vuajtjen e të tjerëve. Kjo është kështu dhe nuk mund të jetë ndryshe, sepse në themel të atyre që sot njihen si vlera civilizuese është vetëm humanizmi. Prandaj edhe habitem se si disa flasin me nostalgji për të kaluarën dhe as që mund t’i kuptoj disa që, duke thënë se atëherë ka pasur rend dhe rregull, flasin me admirim për sistemet e shkuara, kur në të vërtetë mendësia e mbrapshtë, frytet e së cilës i shijojmë tash, është ngjizur në po këto periudha që disa i quajnë si të ndritshme.

Gjatë kohës së Zogut, elitat e reja u ngritën mbi rrënojat e elitave feudale otomane, por këto elita të reja asnjëherë nuk ia dolën të identifikoheshin me dhimbjen dhe vuajtjen e njeriut të thjeshtë. Edhe atëherë, njëlloj si tani, elitat ishin më shumë të dhëna pas glamour-it të salloneve, ballove, se kush vishej më bukur e kush më shtrenjtë, si dhe në identifikimin dhe mënjanimin nga skena e kujtdo që paraqiste rrezik për këtë sistem dhe rend të gjërave.

Elita e kohës së komunizmit, sado që linte përshtypjen e një strukture të mirorganizuar, megjithatë themelet e veta i kishte të ngulura në dhunë dhe urrejtje. Si e tillë, edhe kjo elitë e kishte të pamundur të ndiente dhimbjen dhe vuajtjen e të tjerëve, pra të atyre që nuk ishin pjesë e piramidës së pushtetit. Për më tepër, këto elita u bënë pjesë aktive e përpjekjes për të përligjur dhunën dhe krimet e regjimit. Po ashtu, elita që pretendonte se rrënjët e veta i kishte te vegjëlia shqiptare (fshatarësia dhe klasa punëtore) e instaloi vetë sistemin banal të kastave sociale, ku në vend që të zbehej, dallimi fshat-qytet vetëm sa u bë më i theksuar.

Është interesante se “dielli” i kësaj elite, udhëheqësi, pra Enver Hoxha, popullit ia ndaloi leximin e Niçes, ndërkaq vetë, si askush ndër njerëzit e pushtetshëm të kohës, pothuajse germë për germë jetësoi dy postulatet më të rëndësishme të Niçes. Më 1967, shpalli vdekjen e Zotit si dhe, nëpërmjet njeriut të ri socialist, eksperimentoi me krijimin e mbinjeriut. Elementi më i prekshëm dhe më i dhimbshëm i këtij eksperimenti është zhveshja e njeriut nga instinkti më themelor natyror i çdo qenieje: ndjenja e territorit. Shpronësimi, mohimi i së drejtës për të zotëruar çfarëdo forme të pronës, na ka tjetërsuar si njerëz duke na i çoroditur lidhjet e natyrshme që ndien njeriu në lidhje me rrethin dhe vendin e tij. Prandaj nuk kemi pse habitemi që, në fillim të viteve ‘90, një pjesë e shqiptarëve hoqën dorë aq lehtë nga atdheu i tyre. Pakkush mund të ketë ndjesi të përkatësisë me tërësinë, me atë që do të duhej të ishte pronë e përbashkët kombëtare, pa pasur ndjenjën se një pjesë e saj, sado e vogël, të përket edhe ty.

Elitat që u ngritën pas viteve ‘90, fatmirësisht nuk u ngritën mbi gjak, por u formësuan si pasojë e një ngjizjeje shpejt e shpejt, një produkt amalgamë i mllefit të atyre që për dekada ishin ndier të shtypur dhe i inercisë së elitave të frikësuara nga ndryshimi i sistemit. Nga kthetrat e një shtypjeje të egër, shqiptarët kaluan në një gjendje autizmi kolektiv që ende nuk është tejkaluar, ku secili nga ne mendon se është viktimë e dikujt apo e diçkaje. Të dyja palët e panë njëra-tjetrën me mosbesim dhe urrejtje latente dhe, në vend që të shfrytëzonin rastin për një fillim të ri (siç kanë bërë shumë kombe të tjera të Evropës Lindore, që po ashtu dolën nga komunizmi), bënë çmos që ta sabotonin njëra- tjetrën. Kjo është koha kur diplomat falen, kur dija nuk është më kriter as minimal për ecjen përpara në shoqëri, kur brenda natës krijohen doktorët e shkencave dhe gjeneralët, kur shpirti urban u shndërrua në një përzierje sui generis të opingave dhe të kompjuterit. Dhe, në rrugë e sipër, humb qëllimi i të gjithë idesë për ndryshimin e sistemit.

Më e keqja është se në këtë laborator të madh të tranzicionit, në vend që të zhdukeshin modelet e shëmtuara të urrejtjes, shpërfilljes dhe mos-honepsjes së tjetrit, këto vetëm sa u forcuan edhe më shumë. Edhe ajo pak dashuri që ekzistonte mes njerëzish u shporr përfundimisht nga jetët tona për t’u lëshuar udhë fyerjeve, sharjeve, mos-honepsjes dhe vulgariteteve gjithfarëshe.