~ Rebelimi i Lúlus ~

Homo Politicus Albanensis

Nuk kam iluzione se në politikë, së paku ashtu siç e kuptojmë ne, ka vend qoftë edhe vetëm për ndonjë nga elementet e dashurisë apo që politika, siç është kjo e jona, mund të udhëhiqet nga ndonjë prej parimeve të botës së dashurisë. Ndërkaq nuk jam ithtar i idesë se politikanët, sidomos ata që janë në pushtet, medoemos duhet të aplikojnë ndonjë tip morali në politikë. Disa nga ne kanë pritshmërinë absurde se politikanët janë ligjërues të etikës njerëzore. Mendoj se duhet të çlirohemi nga qasja utopike se politikanët, sidomos qeveritarët, mund të jenë ndonjë model i moralit. Një gjë e tillë është e pamundur. Nuk duhet të harrojmë se politika merret me menaxhimin e shtytjeve më të ulëta njerëzore: pushtetit dhe parasë. Thënë këto, nuk besoj se ekziston diçka që mund të cilësohet si “politikan i (pa)moralshëm”. Mund të ketë vetëm njerëz të (pa) moralshëm dhe si te të gjithë njerëzit e tjerë, vendimi nëse do të tregohemi egoistë dhe do të shohim vetëm interesat e ngushta apo do të synojmë diçka më shumë, është krejtësisht individual.

Për ta thjeshtuar idenë time, mund të ketë vetëm dy tipa politikanësh: ata që kanë synimin të bëhen pjesë e listës së ndritshme të emrave të të gjithë atyre që kanë bërë diçka për këtë shoqëri, dhe ata që synim të vetëm kanë marrjen e pushtetit. Vetëdija e këtyre të dytëve është e lidhur vetëm me mandatin (sa më i gjatë, aq më mirë) dhe nuk kanë ambicie që të lënë ndonjë gjurmë kontributi, diçka për të cilën do të mund të mbaheshin mend. Fatkeqësisht, te ne prirja është drejt kësaj së dytës, te zgjatja e mandatit, prandaj politika është zhvlerësuar në një tip përpjekjeje biznesi, ku qëllimi është që të përfitohet diçka. Mbi këtë logjikë ka lindur Homo Politicus Albanensis, shqiptari i ditëve të sotme, që politikën e sheh vetëm si mundësi karriere dhe si një rrugë të shkurtër, por edhe të sigurt, për të arritur qëllimet në jetë.

Por ekziston edhe një anë tjetër e medaljes, ku politika nuk shihet si mundësi karriere, por përjetohet si një lloj arti. Arti i politikës, njëlloj si format tradicionale të artit, nuk lind vetvetiu, por frymëzohet nga një ngacmim dashurie (për njerëzit dhe për vendin) dhe synon të krijojë diçka (po ashtu nëpërmjet dashurisë), qëllimi i së cilës është nxitja e një lloj katharsisi te njerëzit, në mënyrë që ata të mund të ndryshojnë dhe të bëhen më të mirë. Të tillët synojnë që të mbahen mend jo për emrin, jo për dukjen, jo për origjinën dhe gjëra të ngjashme, por për veprën e tyre, atë që do të lënë pas vetes. Me të tillë njerëz mund të guxojmë të mendojmë për konceptin e moralit në politikë, por te ne një gjë e tillë është e pamundur, sepse morali në politikë varet nga gjendja ekonomike.

Është shumë e vështirë të flitet për moral në një kohë kur njerëzit mezi mbijetojnë dhe janë të gatshëm të bëjnë gjithfarëlloj kompromisesh vetëm që të sigurojnë ekzistencën.

(Lulu)

Në një shoqëri ku sundojnë mjerimi dhe kultura e improvizimit, që vetvetiu krijon përshtypjen e një injorance kolektive, mund të sundohet gjatë. Gjithçka që të duhet është një shkathtësi dhelparake për të bërë premtime sa më të bukura, sepse, sado që të duket e çuditshme, njerëzit tanë kanë krijuar varësi nga premtimet dhe dehen aq shumë prej tyre, sa zgjedhin të harrojnë që këto nuk realizohen ndonjëherë.

Jo rastësisht e përdora fjalën “sundim”, edhe pse një fjalë e tillë nuk do të duhej të zinte vend në një shoqëri që vetëpërcaktohet si e lirë dhe demokratike. Te ne, ajo që do të duhej të ishte qeverisje, gjithnjë gjen një mënyrë që të përfundojë në sundim të një njeriu të vetëm dhe të grupit përreth tij. Kjo do të thotë se, në vend që të kemi qeveritarë (ata që janë të vetëdijshëm se udhëheqin në emrin tonë), ne kemi sundimtarë modernë që e transformojnë shoqërinë tonë në njëfarë monarkie republikane. Dhe, si të gjithë sundimtarët që e konsiderojnë veten pronarë të vendit dhe të njerëzve, edhe këta sundimtarët tanë, që nga dita e parë e sundimit të tyre përvetësojnë çdo institucion të vendit dhe gjithçka tjetër që të munden. Kjo është arsyeja pse, me ardhjen e sundimtarit të ri, te ne historia gjithnjë rifillon nga e para dhe çdo gjë duhet të rishkruhet nga fillimi.

Nuk dua të them se edhe kjo është një dëshmi e adoleshencës sonë kolektive, por, në rastin më të mirë, kjo më së paku paraqet një deformim të qëllimshëm të kuptimit të asaj që e quajmë institucion. Me naivitetin tim prej artisti, nocionin “institucion” e kuptoj si një mekanizëm që është në shërbim të të gjithëve, por edhe u takon (është pronësi) po atyre që edhe u shërben, prandaj institucioni nuk guxon të ketë një fytyrë të përveçme të pronësisë. Por, fatkeqësisht dhe jo pa qëllim, te ne ndodh pikërisht kjo.

Si artist, kam prirje që çdo gjë ta shoh prej një këndvështrimi më pozitiv, prandaj, në imagjinatën time, them se, duke i personalizuar institucionet, stoikisht jemi duke qëndruar në përkushtimin tonë që të mos heqim dorë nga traditat e të parëve tanë. Për korrektësi, që dikush të mos e marrë si fyerje, do ta anashkaloj faktin se të parët tanë jetonin në shoqëri fisnore, ku gjithçka i nënshtrohej vullnetit të një njeriu të vetëm. Por, sido që ta sheqerosim, e vërteta është se dukuria e përvetësimit të çdo gjëje është veti tipike e shoqërive të tilla, diçka që tashmë do të duhej të ekzistonte vetëm në muze.

Në frymën e po së njëjtës ironi, mund të them se në këtë ngulmim tonin për të mos hequr dorë nga traditat e të parëve tanë e ka origjinën edhe prirja jonë për të adhuruar të fortët që, në kohët tona, nuk është asgjë tjetër pos shenjë e dëshpërimit kolektiv të shoqërisë. Me fjalën “të fortë” nënkuptoj personat këmbëngulës dhe, në dukje, të guximshëm, që dinë t’i bien fort tavolinës me grushte që jo rrallëherë ia shkatërrojnë thelbin shoqërisë.

Njerëzit e dëshpëruar kanë pak besim në gjëra dhe zgjidhje racionale, prandaj edhe besojnë në mrekullinë se, një njeri i vetëm, mjaftueshëm i fortë dhe i vendosur, do të mund t’ua zgjidhë problemet. Për më tepër, një shoqëri e dëshpëruar e ushqen vetë prirjen e liderit që dalëngadalë ta veshë petkun e mësuesit, i cili pretendon se ka kompetenca për gjithçka. Aq shumë jepen pas këtij roli prej mësuesi dhe autoritari të plotfuqishëm, saqë, me kalimin e kohës fillojnë të besojnë se vërtet janë aq të domosdoshëm e të veçantë dhe se ne, adhuruesit e tyre, po ashtu si fëmijët e vegjël që kanë nevojë për mësuesin, nuk mund të bëjmë asgjë pa ta.

Pavarësisht adhurimit tonë për ta (që po aq sa është i verbër, të shumtën e kohës është i sinqertë në naivitetin e vet), historia ka dëshmuar se të fortët e tillë nuk janë aspak personalitete të fuqishme, siç kanë dëshirë të imponohen, por janë burracakë që nuk mund të durojnë asnjë lloj konkurrence, prandaj janë në gjendje të bëjnë çmos vetëm që t’i shmangen ballafaqimit të vlerave. Barazimi i kuptimit të “të fortit” me atë të “personalitetit të fuqishëm”, po ashtu është edhe një dëshmi e adoleshencës sonë kolektive.Vetëm në oborrin e gjimnazit “forca” vlerësohet më shumë se dija dhe ndjenja e përgjegjësisë, dy shtyllat themelore të një personaliteti të fuqishëm.

Liderët tanë, të fortët që ne i adhurojmë, ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve të vet, qofshin zyrtarë institucionalë apo kolegë zyrtarë partiakë, ministra apo ofiqarë e rojtarë, sillen thuajse sikur janë shërbëtorë dhe jo bashkëpunëtorë të tyre dhe çuditërisht kjo gjë pranohet si diçka e natyrshme nga të gjithë. Degradimi në shërbëtorë nënkupton se përulja është kriter për ngritje në hierarki, dhe jo dija e kompetenca. Liderëve tanë të fortë iu leverdis sipërfaqësorja, nëse kjo nënkupton përulje absolute, dhe për këtë janë të gatshëm ta tolerojnë papërgjegjësinë dhe paditurinë. Në një mënyrë perverse, iu leverdis kjo kategori njerëzish, ngaqë të tillët, me shkujdesjen e tyre në kryerjen e detyrave, me abuzimin që bëjnë me pushtetin (sepse, duke dashur të imitojnë liderin, edhe ata personalizojnë atë copë pushteti që iu jepet), bëhen burim i një frike të heshtur kolektive. Dhe të gjitha këto së bashku në fund rezultojnë me mungesën e rregullit dhe vendosjen e një kaosi të kontrolluar, gjë që, po ashtu, iu leverdis atyre lart, ngase iu jep mundësinë të dalin në media dhe të na kërcënojnë se do të ketë masa të ashpra me synim vendosjen e rregullit.

Nuk gaboj nëse them se, pavarësisht deklarimit ideologjik, përkatësia e tyre e vërtetë i takon absolutizmit, prandaj edhe janë aq elastikë në interpretimin e asaj që e deklarojnë si ideologji të vetën dhe, edhe më elastikë në implementimin e saj. Një elasticitet i tillë, kur përcaktohet si filozofi politike në vetvete, ka prirje drejt maksimalizimit në gjithçka (të gjitha ose asgjë), prandaj nuk e njeh fare logjikën e kompromisit dhe as që dëshiron ta njohë atë si një nevojë të domosdoshme për të mbajtur gjallë dialogun e brendshëm, si një minimum të komunikimit normal në një shoqëri.

Për këtë arsye, liderëve tanë do t’ua kishte zili edhe perandori japonez apo mbretëresha britanike, sepse vendet e tyre, edhe pse janë të organizuara si monarki, ka kohë që kanë hequr dorë nga ky lloj absolutizmi. Nëse nis të bësh një analizë sado të shpejtë, do ta shohësh se të fortët tanë paraqesin profilin e politikanit klasik, në dukje neoliberal, por aspak sentimental, që fuqinë e vet e shpreh vetëm nëpërmjet numrave. Kjo mani e tyre për të dëshmuar se janë të dashur nga populli është arsyeja pse, përgjatë tërë historisë sonë, ne kemi paguar faturë të lartë për eksperimentet e tyre me ideologji të ndryshme që, në fund të fundit, kishin si synim pushtetin e pafund.

Në prapavijë të të gjithë kësaj është supozimi i tyre se ne, plebenjtë e ditëve tona, jemi budallenjtë që nuk dinë gjë. Madje edhe kur rrallë ndonjëherë e ngremë zërin për padrejtësitë që na bëhen dhe kur kërkojmë atë që na është premtuar, menjëherë thonë: “Po i mëson dikush!” Edhe në klithjet e dëshpërimit tonë, vazhdojnë të besojnë se jemi budallenj.

Hapave të liderit të fortë, grupi përreth tij po ashtu na nënçmon ne (frymorët e rëndomtë që, në këto demokracitë tona do të duhej të ishim qytetarë) duke na trajtuar si adoleshentë, d.m.th të papjekur për t’u përballur me problemet, ndërsa veten e mbivlerëson si elitë. Të dehur nga këto kënaqësi të vetëdeklarimit si grup superior, nuk lënë hapësirë për debat përmbajtësor (ngaqë e konsiderojnë jo të denjë që të debatojnë me njerëzit e një niveli më të ulët) dhe, në vend të debatit, komunikojnë me batuta, ironi, përqeshje (herë të lehta e herë primitive) dhe mbi të gjitha me retorikë populiste. Ndërsa janë po këta që ndaj çdo kritike përgjigjen në mënyrën më agresive dhe pa harruar asnjëherë të ironizojnë se kritikuesit janë të paditur dhe nuk mund ta vlerësojnë drejt realitetin.

Parodi e madhe kjo! Në vend që të angazhohen të na e rregullojnë dhe lehtësojnë jetën (për çfarë edhe janë zotuar), ata bëjnë çmos që të na rregullojnë dioptrinë e syve, që të mund të shohim atë që nuk ekziston. Pra, njëlloj si ata tregtarët me reklamat e tyre në TV, që çdo ditë përpiqen të na shesin lloj-lloj preparatesh dhe recetash mrekullibërëse për pothuajse të gjitha problemet tona, edhe këta përpiqen të na shesin diçka që realisht është vetëm mirazh.