~ Rebelimi i Lúlus ~

Fytyra njerëzore e së keqes

Nëse dëbimi i dashurisë paraqet aktin e parë të dhunës shpirtërore ndaj vetes, marrja vetëm me veten paraqet aktin e dytë të kësaj dhune, çka është një paradhomë për aktin e tretë, atë të promovimit të modelit të njeriut të ftohtë, të cilin jemi duke e përqafuar çdo ditë e më shumë. Ky njeri i ftohtë e merr si të mirëqenë shmangien e dashurisë dhe, në të njëjtën kohë, përderisa brenda vetes ka një grumbullim të frikshëm të vuajtjes së heshtur, e ka shumë të lehtë që të na “befasojë” me shpërthime të befta të një agresiviteti të frikshëm. Por edhe të bëhet “tokë pjellore”, ku fare lehtë mund të “mbjellësh” farën e të gjitha ideologjive, përfshirë edhe ato më të përçudnuarat.

E përderisa tashmë bashkëjetojmë me këtë agresivitet të heshtur, nuk na duket e panatyrshme që edhe dashurinë ndaj atdheut (patriotizmin tonë, që do të duhej të nënkuptonte një përkushtim fisnik) dhe dashurinë ndaj Zotit (devotshmërinë tonë, që do të duhej të nënkuptonte përkushtimin ndaj çdo manifestimi të mirësisë) kemi nisur ta shprehim nëpërmjet urrejtjes ndaj të tjerëve. Tani që jemi më të lirë se askurrë më parë dhe po ashtu, së paku në pamje të jashtme, më fetarë se ndonjëherë tjetër në historinë tonë të re, në vend që të jemi më tolerantë, çuditërisht nuk jemi tolerantë.

Sloganet e mbushura me urrejtje ndaj popujve të huaj, të lidhura me ndjenjën e shqiptarisë dhe shpërthime të tjera të ngjashme, kanë filluar si parulla tifozësh sportivë dhe tani synojnë të bëhen pjesë e diskursit tonë të përgjithshëm. E njëjta vlen edhe për fanatikët fetarë, gjithnjë e më të pranishëm, që qëllimshëm, me të dyja këmbët, shkelin një nga parimet themelore të çdo besimi fetar: Të gjithë njerëzit, pa dallim, janë krijesa të Zotit.

A nuk është absurde që dashurinë ndaj popullit tim ta shpreh duke urryer popujt e tjerë apo përkushtimin dhe devotshmërinë ndaj Zotit ta shpreh duke lënduar, poshtëruar dhe vrarë krijesat e tij?

Diktaturat kanë rënë dhe pushtuesit kanë ikur, por ne, në mënyrë të vullnetshme, vazhdojmë të jetojmë në skaj të botës normale, të mbërthyer në një sistem mbijetese dhe urrejtjeje. Të mos vazhdojmë së gënjyeri veten dhe të tjerët duke ngritur lart mitin historik se jemi njerëz të durueshëm e të besës. Është çasti i fundit për ta thënë hapur se sot, prapa kësaj fasade fjalësh, fshihet urrejtja, agresiviteti dhe të mos-honepsurit e çdo mënyre tjetër të të menduarit, shprehjes së ndjenjave apo të jetuarit.

Ndërsa atëherë kur, si pasojë e (mos)veprimeve tona, goditemi nga tragjedi të mëdha, si adoleshentë të rritur që jemi, i bishtnojmë çfarëdo forme të përgjegjësisë dhe të gjithë aktrojmë rolin e të befasuarit që, me plot gojë, thotë: “Nuk dimë gjë! Ndodhi!”

Por kjo nuk paraqet as për së afërmi fundin e paradokseve tona. Në një botë pa dashuri, çdo gjë është e mundur, sepse, aty ku dashuria dëbohet, vetvetiu rrënjoset e keqja. Dhe ajo, si një zonjë e zezë dhe e rëndë, asnjëherë nuk kënaqet me pak.

(Lulu)

Jetojmë në një kohë ku vlejnë ligjet e pashkruara të pashpirtësisë, qëllimi i së cilave është që njeriu të bëhet i verbër dhe i shurdhër, në radhë të parë ndaj asaj që ka në zemër dhe zërit që i flet nga brenda. Por diçka më thotë se kështu ka qenë gjithmonë dhe se koha në të cilën jetojmë vetëm sa ofron mundësi më të sofistikuara për të fshehur qëllimet e vërteta.

Përballë kësaj egërsie, edhe pse jam një mbështetës i epërsisë së shkencës, kam filluar të kem dyshime për saktësinë e teorisë së evolucionit. Nisur nga ajo që dëshmohet çdo ditë, njeriu është rikthyer në majmun. I gjithë deodoranti dhe të gjitha kostumet shik të kësaj bote nuk mund ta fshehin këtë fakt. Njeriu i sotshëm, edhe pse duket elegant, megjithatë lë shijen e një majmuni të tërbuar. Majmuni njerëzor njeh vetëm paranë si njësinë matëse të vlerës, vuajtja njerëzore gjithnjë e më pak tërheq vëmendje, prandaj solidariteti njerëzor është zbehur në diçka të papërfillshme.

Kurrë nuk kam menduar se të keqes mund t’i jepet një fytyrë njerëzore, por së fundmi kam ndryshuar mendim për këtë. Mendoj se fytyra njerëzore e së keqes është arratisur nga purgatori dhe ka filluar të marrë formë këtu, në mesin tonë.

E ke vënë re se në rrugët dhe bulevardet tona sheh shumë pak fytyra të buzëqeshura? Pothuajse të gjithë rrinë të tërhequr dhe të pafjalë. Atmosferë si në repartin pranues të urgjencës. Secili mëton të zërë një cep ku do të mjaftohet me veten dhe me hallin e vet. Ndërsa ata pak që qeshin, e bëjnë këtë në një mënyrë kaq të sforcuar, saqë menjëherë të trullos kutërbimi i falsitetit. E bëjnë me aq shumë zor këtë lloj sforcimi, saqë më bëjnë të hamendem në mos kanë ikur nga pavijoni i tretë i çmendinës së shkrimtarit Leonard Veizi.

(Lulu)

Ata që dinë vetëm të urrejnë fshihen pas moralit të çfarëdollojshëm dhe më pas, me kamxhik në dorë, kritikojnë të tjerët. Por, po gabove e klithe në protestë (edhe pse e dinë se po thua të vërtetën), pothuajse të gjithë do ta kthejnë kokën në anën tjetër dhe do të bëjnë të ndihesh i tepërt, një budalla i llojit të vet. Prandaj sot është demode të jesh i ndershëm, edhe Zoti ka kohë që vetëm si emër është në xhamitë dhe kishat tona, drejtësia ka ikur nga gjykatat, arsimi dhe edukimi nga shkollat dhe humanizmi i ka braktisur spitalet tona.

Nëse ka ndonjë purgator më të keq se ky yni, atëherë duhet të jetë vetëm purgatori i dijes se nuk ka më keq se kështu.