~ Rebelimi i Lúlus ~

E martë, 4 gusht

E martë, 4 gusht

(Lulu hireplotë)

Si e shpreh ti ndjenjën që nuk mund ta thuash me fjalë?

Atë që rrëmbyeshëm të mblidhet e të shtrëngon fort në gjoks, aq sa të duket se po ta ndal frymën dhe po ta bjerr vullnetin për të jetuar.

A di, vallë, ndonjë fjalë që, në një frymë të vetme, e përmbledh pafuqinë e njeriut përballë trishtimit të vet?

Atë që, sa herë që i ndien çizmet e vrazhdësisë së të gjithë botës duke të rënduar si gur mbi zemër, të shtyp nga brenda dhe nuk të lë të ngrihesh më këmbë?

Ndihmomë, sepse nuk po arrij të kuptoj më asgjë.

Kam hequr dorë nga përpjekja për ta kuptuar këtë botë tonën dhe arrogantët shpirtvegjël që mendojnë se mund ta matin e ta përkufizojnë vuajtjen njerëzore.

Ata që, atëherë kur më së shumti të duhet afërsia dhe kujdesi, e kanë aq të lehtë e të natyrshme të të kryqëzojnë.