~ Rebelimi i Lúlus ~

E hënë, 3 gusht, pasdite

(Lulu hireplotë)

Varfëria materiale nuk vjen vetvetiu.

Hapi i parë drejt varfërisë ndodh atëherë kur ta topisin shpirtin aq fort, sa nuk beson më në asgjë dhe tek askush. Pas skamjes shpirtërore, porsi mjegulla pas shiut, vjen varfëria mendore. Pa motivim, njerëzit përtojnë edhe të mendojnë, ndërkaq ata pak që e bëjnë këtë gjë, vetësyrgjynosen sa më larg nga kjo djerrinë shpirtërore.

Nuk hyjnë në punë as diplomat dhe as milionat e të gjithë botës. Nga kjo varfëri e jona nuk do të çlirohemi ndonjëherë pa i dhënë më parë krahë shpirtit tonë, që paskëtaj të mund të besojmë përsëri dhe njëmendshëm të angazhohemi për një jetë më të mirë.