~ Rebelimi i Lúlus ~

E enjte, 5 gusht, mesditë

(Lulu hireplotë)

Shpesh më pyesin se çfarë mendoj për politikëbërjen dhe politikanët tanë.

Sado që të përpiqem, as unë nuk mund t’u iki situatave ku politika është tema bosht e të gjitha bisedave.

Është shumë e trishtë se sa pak njerëz shohin një jetë ndryshe, të lirë nga trysnia e politikës së egër, siç është kjo e jona.

“Ne jetojmë në një shpellë, të ngujuar bashkë me Ali Babën dhe dyzet hajdutët”, është përgjigjja ime. Qeshin me mua dhe më thonë se po flas si një shkrimtar, përherë në kërkim të figurave interesante. Nga zori qesh edhe unë, por nuk kam ndërmend të kërkoj falje pse nuk di të shprehem ndryshe.

Pavarësisht kravatës, kostumit elegant dhe çfarëdo imazhi tjetër që mund t’i japë vetes, Ali Baba gjithnjë do të jetë vetëm kryehajdut, prandaj do të bëjë çmos që ne kurrë të mos dalim nga shpella.