~ Rebelimi i Lúlus ~

Camera obscura

Elitat tona, me modelin që japin, në raport me politikën tonë janë një camera obscura e njërës në raport me tjetrën. Elitat përdoren për të legjitimuar të gjithë ata që kanë defekte themelore në formimin e tyre, ndërkaq, në këmbim, është politika ajo që i mbështet interesat e ngushta të pjesëtarëve të këtyre elitave. Shërbimi më i madh që këto elita i bëjnë pushtetit është mohimi i çdo gjëje dhe i secilit. Ideja është që të krijohet bindja kolektive se te ne nuk ka asgjë të mirë e me vlerë dhe se të gjithë jemi njëlloj. Nëse ekziston diçka që mund të cilësohet si kulturë e krimit dhe e turpit, është praktika e elitave tona që gabimet dhe krimet e X-it, reale apo imagjinare, të përdoren për të shfajësuar Y-in. Kjo praktikë është autostrada jonë drejt shkatërrimit dhe zhbërjes së ngadaltë të vetes.

Shërbimi tjetër që këto elita i bëjnë pushtetit është se shërbejnë si ombrellë nën të cilën, fshehur nga petku i përpjekjes për të ruajtur autoritetin dhe vlerat e një ideali (kombi, demokracia, heronjtë…), të krijohet kasta e të paprekshmëve, e atyre për të cilët mund të shkelen rregullat, mund të bëhen përjashtime. Pikërisht në këtë përjashtim nga rregullat, gjithnjë me bekimin e elitave tona, shtrohen themelet e asaj që ne njohim si realiteti ynë i korruptuar. Përballë gjithë kësaj, njerëzit normalë, por pa përkrahje, janë pothuajse tërësisht të pafuqishëm dhe natyrisht të zhgënjyer. Por as kjo nuk mjafton, sepse aleanca e heshtur mes elitave, politikës dhe poleve joformale të fuqisë duan të na e ushqejnë edhe më shumë ndjenjën tonë të zhgënjimit me veten dhe me vendin tonë, në mënyrë që më pas ta marrim si të mirëqenë se hapësira jonë manovruese është e vogël dhe se është e pamundur që të zgjerohet. E vetmja gjë që përjashtohet nga ky rregull është e drejta jonë për të sharë e për të shfryrë, ama vetëm në rrjete sociale dhe në seksionet e komenteve të portaleve online. Por edhe kjo liri ka filluar të kufizohet, sepse dikush atje lart ndihet i rrezikuar edhe nga kjo.

(Lulu)

E ke vënë re sa shpesh ndodh që, gjatë bisedave tona, vetë ne të shprehim habinë me atë se si është e mundur që vazhdojmë të ekzistojmë si popull? Nuk mendoj se kjo është e rastësishme!