~ Rebelimi i Lúlus ~

Adoleshenca kolektive

Qasja jonë ndaj dashurisë është në harmoni të plotë me përqasjen tonë të përgjithshme ndaj jetës: është përqasje adoleshentësh.

Shprehjet më tipike të adoleshencës sonë kolektive janë dy: barazimi i dashurisë (si një fenomen që përfshin si shpirtin, ashtu edhe mendjen e trupin) me seksin (si një veprimtari fizike), si dhe fiksimi ynë me idenë se njeriu i ftohtë paraqet modelin e njeriut të pjekur. Pra, që përdor atë që cilësohet si menaxhim i dashurisë (edhe pse është absurde të mendohet se ekziston diçka e tillë) dhe i marrëdhënieve njerëzore me të tjerët. Kjo më ngjan me modelet e sjelljes nga koha ime e gjimnazit, kur seksin e kuptonim më shumë si një lloj gare ose kur e këshillonim njëri-tjetrin se, në mënyrë që të dukeshe më interesant, duhet të mbaje qëndrim të rëndë, të aktroje tipin që nuk intrigohet lehtë, të flisje pak dhe të buzëqeshje edhe më pak.

Kohët e fundit ka hyrë në modë nocioni “pjekuri emocionale” dhe nuk janë të paktë ata që thonë se ne jemi krejt në rregull, vetëm se na mungon pjekuria emocionale. Nocionin shkencor “pjekuri emocionale” (me të cilin tani merret psikologjia bashkëkohore) qëllimshëm e lakojnë në interpretim, në mënyrë që të mund ta përdorin për të përligjur veten dhe për të nënçmuar tjetrin, një përpjekje e pakuptimtë për të theksuar një lloj superioriteti fiktiv. Sipas tyre, vetëm njeriu që nuk shpreh atë që ndien (pra, dikush si ata vetë) zotëron aftësinë për të kontrolluar ndjenjat e veta, prandaj dhe lë përshtypjen e njeriut të ftohtë. Gjithnjë sipas këtij interpretimi, një njeri i tillë është i pjekur në pikëpamje emocionale, prandaj edhe pasqyron siguri, rrjedhimisht është njeri serioz.

Sa fjalë e madhe kjo: “njeri serioz”! Por, në të vërtetë, çfarë bëjnë seriozët e tillë? Dinë vetëm të kritikojnë dhe t’i përqeshin të tjerët, ndërkaq janë tërësisht të paaftë të marrin përsipër sadopak përgjegjësi për diçka, përveçse për gara krekosjesh. Këtë përqasje adoleshente e kemi edhe në raport me shtetin: besoj e ke vënë re edhe vetë se, jo rrallëherë, sillemi si ata fëmijët e llastuar që mendojnë se kanë lirinë për të bërë çfarëdolloj sherri, sepse dikush tjetër do të vijë të merret me pasojat.

Nuk dua të them se tërë kjo është vetëm lajthitja tjetër e radhës, sepse, që të jesh serioz dhe të tregosh siguri, nuk do të thotë se duhet të jesh i ftohtë dhe vetëm të kritikosh të tjerët! Mbase është krejt e kundërta, sepse, siç thonë amerikanët, you have to actually give a damn, në mënyrë që të marrësh sadopak përgjegjësi për diçka.

Mendoj se gjithë problemi ynë qëndron te tërheqja absurde që ndiejmë ndaj fjalës “kontroll”, manifestim i bindjes sonë të çuditshme se vetëm nëpërmjet presionit mund të zgjidhen problemet dhe të edukohen njerëzit. Nuk duam t’ia pranojmë vetes se vetëm ata që nuk i luftojnë dhe nuk i ndrydhin ndjenjat dhe mendimet e veta, vetëm ata që e dëgjojnë drejt zërin që iu flet nga brenda, ndihen se janë në rregull me veten. Ne e kemi të pamundur ta shijojmë këtë ndjesi të paqes me veten, prandaj dhe vuajmë nga ndjenja e pasigurisë, së cilës është shumë vështirë t’ia gjejmë shkakun. Efekti zinxhir nuk përfundon me kaq, pasi kjo ndjenjë pasigurie, herët apo vonë, nxit ndjenjën e shqetësimit të vazhdueshëm, diçka e paemër që njerëzit i bën vetiu të ndiejnë një lloj neuroze të brendshme, ndërkaq, më pas, kjo neurozë ushqen një lloj agresiviteti të heshtur që sot qartazi mund të lexohet në fytyrat e njerëzve. Nuk besoj se ka nevojë ta vazhdoj më tej arsyetimin, sepse secili nga ne, në mënyrën e vet, është pjesë e këtij laboratori të madh të vrazhdësisë sonë kolektive.

(Lulu)

Pikërisht mbi agresivitetin tonë të heshtur shtrihet arena ku merr hov lufta jonë universale: të gjithë kundër të gjithëve. Dhe tani, në epokën e virtualitetit, kjo luftë vetëm sa po bëhet më e ashpër. Teknologjia e sotme na krijon mundësinë që tërë kohën të rrimë vetëm, ndërkohë që po ashtu krijon edhe iluzionin e të qenit në bashkësi. Ky virtualitet po e shthur realitetin tonë, por kjo ndodh vetëm për shkak se realiteti ynë tashmë është i brishtë dhe, si i tillë, nuk ka asnjë gjasë qëndrese përballë virtualitetit shumë të konsoliduar.

Po ashtu si disa adoleshentë që kanë dëshirë ta hedhin gurin dhe aty për aty ta fshehin dorën, virtualiteti na ofron atë që vazhdimisht ia kemi mohuar vetes në botën reale: lirinë dhe sigurinë për të shprehur ndjenjat dhe mendimet. Por një jetë e tërë e kaluar duke i ndrydhur ndjenjat dhe mendimet nuk kalon pa pasoja, prandaj, të fshehur prapa identitetit virtual, fyerjet dhe vulgariteti janë kthyer në një nga modelet kryesore të komunikimit. Nuk thuhet kot se shprehitë e vjetra nuk zbehen lehtë, prandaj dhe në botën virtuale vazhdohet me avazin e vjetër të stigmatizimit dhe ironizimit të të tjerëve, pa mëshirë dhe deri në poshtërim, sidomos të atyre që hapësirën virtuale e përdorin për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e tyre të vërteta. Dhe, për ironi, kjo simfoni e poshtër e vulgaritetit primitiv shitet si shprehje e lirisë individuale.