~ Edith ~

Qetësia e shumëpritur

1

Jerusalemi. Nga dhjetë bukuritë e kësaj bote, nëntë prej tyre Perëndia ia dhuroi Jerusalemit. Kështu thotë legjenda, por këtë nuk mund ta besosh pa shkuar vetë atje. Kështu më kishin thënë njerëz të ndryshëm që i kisha takuar gjatë udhëtimeve të mia, po ndërkaq më ishte krijuar ideja se ky qytet është i rëndësishëm për mua, ndaj dhe kisha vendosur që patjetër duhej ta vizitoja. Nuk di se si, po ky udhëtim gjithnjë shtyhej.

Në një rast nuk gjeta bashkudhëtarë të tjerë, në një rast tjetër nuk mund të shkoja ngase në pasaportë kisha shumë vula nga vende të ndryshme arabe dhe kjo mund të prishte punë me izraelitët, kështu që m’u desh të merrja një pasaportë tjetër. Pastaj seç doli edhe diçka tjetër që më pengoi dhe kjo shtyrje e vazhdueshme e vizitës atje mori përmasën e pamundësisë. Pata përshtypjen se, si shumëçka tjetër në jetën time, edhe vizita në Jerusalem do të ndodhte në një kohë të paracaktuar. Do të ndodhte atëherë kur do të duhej të ndodhte. As më herët dhe as më vonë. Dhe se kjo do të ishte një gjë me shumë rëndësi në jetën time.

Në dukje të parë, Jerusalemi ishte një qytet si të gjitha qytetet e tjera në Lindjen e Mesme. Një vend ku takoheshin arkitektura e re dhe ajo e vjetër, rrugë të gjera dhe rrugë të ngushta plot zhurmë. Por Jerusalemi i vërtetë zbulohej nëpërmjet një veçantie krejt të pazakontë. Dhe ky ishte shpirti i tij. Ky qytet ka shpirt, diçka që turistët perëndimorë, të cilët vinin për të gjetur kuptim te gurët dhe godinat e vjetra, nuk do ta ndienin kurrë. Në Jerusalem jo vetëm që përmblidhej e gjitha bota e vjetër, por aty ndiheshin edhe themelet ende të pavendosura të botës së re, që një ditë do të ngrihet mbi rrënojat e botës sonë.

Nuk është e rastit pse të gjitha ngjarjet me rëndësi të kësaj bote janë shënjuar përreth Jerusalemit. As nuk është e rastësishme pse paqja botërore fuqizohet ose rrënohet në themelet e këtij qyteti. Jerusalemi është vendi ku ndihen hapat e para të njeriut, por edhe troku i kalorësve të apokalipsit.

2

Ishte një ditë korriku dhe bënte shumë vapë, andaj isha ulur në një hije rrëzë kolonave antike në pjesën jugperëndimore të Haram Al sharifit, siç e quajnë arabët, apo Har haBayit, siç e quajnë hebrenjtë vendin ku është ndërtuar tempulli i famshëm i mbretit solomon. Një tempull i bukur, i mbuluar me një kupolë madhështore prej ari, në brendi të të cilit, i vendosur mijëra vjet më parë, gjendet guri themeltar i tempullit të mbretit Solomon. Hebrenjtë besojnë se ky është vendi që zgjodhi Perëndia për të shprehur praninë e vet hyjnore, ndërsa të gjithë pasardhësit e Abrahamit besojnë se ky është vendi ku engjëjt mblodhën dheun me të cilin do të krijohej njeriu i parë. Myslimanët besojnë se nga këtu profeti Muhamed ishte ngjitur në Parajsë dhe përtej deri te froni i Perëndisë, ndërsa hebrenjtë besojnë se njëri nga tunelet e shumta që gjenden poshtë tempullit, në të vërtetë është kalim i fshehtë për në Parajsë.

Në të majtë kisha Murin e Vajtimit, vendi më i shenjtë në traditën hebraike, në të djathtë kisha Al Aksën, xhaminë e tretë më të rëndësishme në traditën islame, ndërsa pak më larg prej Murit të Vajtimit, dallohej kisha ku besohej se ishte varri i Jezu Krishtit. Pothuajse e gjithë tradita e kësaj bote e përmbledhur në një vend të vetëm!

Aty, nën atë hije, ndjeva se si brenda meje u përmblodhën të gjitha ato që i kisha ndier në Mekë, në sheshin e Shën Pjetrit, në Agjia Sofia të Stambollit, në Qerbela të Irakut, në Nubia, vendlindjen e piramidave, si dhe kudo tjetër ku kisha shkuar me trup dhe me mendje.

Ndihesha shumë i lodhur. I lodhur nga kërkimi që dukej se nuk do të kishte fund. Isha pak i trembur nga mungesa e përkorjes së njeriut, çka e kisha hasur gjithandej botës. Ndihesha i hutuar nga pavetëdija e njeriut për atë që në të vërtetë dëshiron nga vetja. Isha i zhgënjyer me arrogancën si shprehje e një natyrshmërie moskokëçarëse të njeriut, pothuajse si diçka krejtësisht e pafajshme. Vloja nga hidhërimi për shkak të mosdurimit që ne shfaqim pothuajse në çdo hap.

Sa larg ishim nga dëshira e babait të njerëzimit që kjo botë të ishte fusha e lojës ku do ta njihnim njëri-tjetrin, si kusht që më pas të mund të njihnim veten. Ky ishte mendimi im. Kjo ishte klithja ime. Të gjitha ndjesitë e mia po merrnin vrull nëpërmjet shpirtit të këtij qyteti. Të gjitha. Si ëndrrat e të parëve tanë, ashtu edhe të gjitha zhgënjimet tona.

Dhe aty nën atë hije, edhe njëherë e ndjeva thyerjen e kohës, por kësaj here ishte ndryshe. Ishte shumë më e fuqishme. Ndjeva fillimin, atëherë kur engjëjt kishin mbledhur dheun për të krijuar njeriun e parë, si dhe ndjeva fundin, atëherë kur njeriu do të mbërrijë në fund të rrugëtimit të vet. Të gjitha ndodhnin, kishin ndodhur dhe do të ndodhnin aty. Aty ishte fillimi dhe fundi i botës.

“Jerusalemi është asgjë, por në të njëjtën kohë është gjithçka.” Këto janë fjalët e Salaudinit të Madh në filmin Mbretëria e Parajsës dhe këtë e ndieja edhe unë atë ditë. Jerusalemi ishte diçka jashtë kësaj bote dhe në të njëjtën kohë ishte edhe qendra e botës. Ishte një shtyllë në shkallët drejt Parajsës. Ishte vendi ku do të njihja natyrën e vërtetë të botës. Dhe e ndjeva këtë. E ndjeva me gjithë shpirt dhe, si shprehje të një qetësie të shumëpritur dhe të një ndjenje plotësuese paqeje për të cilën kisha shumë mall, i lehtësuar, lëshova frymën. Dhe i mbylla sytë.

3

Më ishte dashur të shkoja rreth e përqark botës, në mënyrë që, i lodhur nga kërkimi, të gjeja pak prehje në vendin ku e ardhmja shkrihet me të shkuarën, ndërsa e shkuara tashmë e ka shkruar gjithë të ardhmen. Dhe aty të mësoja mësimin që tashmë e dija. Po të njëjtin mësim që dikur moti, si adoleshent që ëndërroja të zbuloja të fshehtat e universit, më ishte dëftuar në rrugët me kalldrëm të qytetit tim. Atë ditë kur, për herë të parë, kisha ndier shpirtin e botës.

E gjithë ekzistenca, të gjitha botët, të shtrira në pafundësi në shumë dimensione paralele, që të gjitha janë krijuar si një akt i një dashurie të pakusht për njeriun. Dhe vetëm nëpërmjet dashurisë mund të zbërthehet i gjithë akti i krijimit. Kjo është arsyeja pse vetëm me fuqinë e mendjes së tij dhe me qetësinë e shpirtit, njeriu mund të shkrihet me tërësinë dhe të bëhet një me shpirtin e botës. Kjo është arsyeja pse kur njeriu mendon diçka, kur dëshiron diçka, madje edhe atëherë kur trembet, diku përbri tij krijohet një botë e re. Një botë ku fantazia e tij shtrihet në të katër anët e pafundësisë.