~ Edith ~

Nga ditari virtual i një shkrimtari (8)

Më kujtohet vetja kur i hidhja hapat e para në jetë. Gjithçka dukej aq e lehtë. E ndieja se pas çdo kthine pret një botë e fshehtë që rënkon të zbulohet. Besoja në të pamundurën. Besoja se brenda meje fshihej heroi që, pavarësisht sfidës dhe intrigave, gjithnjë ia del.
E doja jetën. Një vullkan pasioni vlonte brenda meje. Unë isha Marko Pollo, i cili nuk ngurroi të jetonte mes së panjohurës. Unë isha Kristofor Kolumbi, i cili nuk u tut ta sfidonte veten.
E kërkoj këtë ëndërrimtar që nuk dinte të lodhej. Dua të më mësojë artin e besimit. Dua të më tregojë se si mbahet gjallë flaka e pasionit.
E kërkoj. Por gjithnjë më ikën.
Çfarë ndodh me ne ndër vite?
Lodhemi nga jeta apo humbim besimin në të bukurën?

NGA DITARI VIRTUAL I NJË SHKRIMTARI