~ Edith ~

Mësimi që nuk mund të ta mësojë askush

1

‘A mund të lëndohet një magjistar?” e pyeti nxënësi mësuesin e tij.

“Po!” ia ktheu shkurt mësuesi. “Mund të lëndohet vetëm nga ajo që ai dashuron.”

Nxënësi nuk e kishte pritur një përgjigje të tillë. Sipas mendjes së tij, magjistarët ishin të paprekshëm dhe të fuqishëm në çdo gjë. Si magjistar i ri që ishte, ai këtë e donte për vete. Të ishte i paprekshëm. I lirë nga dhembja dhe trishtimi.

“Si është e mundur një gjë e tillë?” vijoi nxënësi me gjysmë zëri.

“Çdo titan ka thembrën e vet të Akilit. Për magjistarin është dashuria”, tha mësuesi dhe vazhdoi të ecte shtegut të dijes.

Që në mëngjes e kishte ftuar nxënësin e tij të ecnin nëpër atë shteg. Mësuesi ishte magjistar i rrethit të parë, andaj e dinte se kjo ishte dita kur nxënësi i tij do të sfidohej nga thelbi i qenies së vet.

Si mund të përballet njeriu me veten? Kjo është një sfidë e rëndë, madje edhe për një magjistar.

“Por duhet të ekzistojë ndonjë formulë, ndonjë magji që të mbrohemi nga dashuria!” tha nxënësi pothuajse i revoltuar.

Mësuesi qeshi dhe vazhdoi të ecte.

“Nuk ka!” tha shkurt.

“Si nuk ka? Patjetër duhet të ketë!” Nxënësi nuk donte t’u besonte veshëve.

“Po si mund të mbrohesh nga magjia më e madhe që është shpikur ndonjëherë?” tha mësuesi dhe e ndali hapin.

U ul mbi një gur që gjendej anash shtegut dhe e ftoi nxënësin të ulej afër tij.

“Dashuria është magjia më e madhe që ekziston. Nuk ka magji më të fuqishme se kjo. Dhe për këtë vetëm një magjistar i vërtetë është në gjendje të dashurojë. Njerëzit e zakonshëm duan, ndërsa vetëm magjistarët munden të dashurojnë. Kur njerëzit e zakonshëm i thonë dikujt ‘të dua’, ata në të vërtetë mendojnë ‘të dua ty’. Njësoj sikur duan një stoli, makinë apo diç tjetër. Tjetrin e shohin si një objekt. Si diçka të bukur, një gjë më shumë, që patjetër duhet ta kenë të vetën. Andaj dhe janë në gjendje të bëjnë gjithçka: të shpifin, të mashtrojnë, të shtiren! Në të vërtetë, ata nuk e duan tjetrin, por duan veten! Ndërsa magjistarët e dinë se dashuria shpërthen vetëm në liri. Për të dashurën e vet, magjistari e do lirinë po aq sa e do edhe për vete. E dashuron për atë që ajo në të vërtetë është. Dhe do të bëjë çmos që ajo kurrë të mos ndryshojë. Do të bëjë çmos që ajo të shkëlqejë përgjithnjë. Magjistari gjithnjë do të shfaqet me fytyrën e tij të vërtetë ngaqë e di se dashuria ushqehet vetëm nga e vërteta”, tha mësuesi, pastaj heshti, sepse iu duk sikur nxënësi do ta plotësonte mendimin e tij.

“ …prandaj dhe na lëndojnë. Të gjithë flasin për të vërtetën, por ata ndërkaq tremben prej saj. Ata duan që edhe ne t’i gënjejmë. Të shtiremi se jemi dikush tjetër. T’ua falim magjinë e iluzionit. T’i bëjmë të lumtur, ndërsa ata të mos kenë nevojë të bëjnë asgjë”, tha nxënësi dhe i shpëtuan lotët.

“Të lëndojnë njerëzit dhe jo dashuria! Mbaje mend këtë!” tha mësuesi.

‘Atëherë, çfarë duhet të bëj?” pyeti nxënësi.

‘Asgjë. Le të të lëndojnë. Dëshmo se ti je ndryshe.”

2

Diku, në një realitet tjetër, në një dimension paralel, nxënësi që donte të ecte shtegut të dijes isha unë, ndërsa magjistari i rrethit të parë ishte Sh-ja. Por, sidoqoftë, pak rëndësi ka se në cilin dimension ka ndodhur kjo bisedë. I rëndësishëm është mesazhi.

Ta duash dikë është gjë e bukur. Të dashurosh është fisnike. Të gjithë jemi në gjendje që ta duam dikë, por shumë pak prej nesh dashurojnë me të vërtetë. Mund ta duash një gjë, një objekt, një stoli, një çfarëdo qoftë, por një njeri duhet ta dashurosh. Dhe të dashurosh është magjike. Është magjia më e madhe, por si çdo magji tjetër, kjo kërkon përkushtim.

Gënjehen ata që mendojnë se diku në këtë botë është dikush, një gjysmëtjetër që shpreh çiftëzimin e përkryer. Gënjehen ata që mendojnë se shpirti binjak është dashnori apo dashnorja e ëndrrave dhe se mjafton vetëm ta gjesh, në mënyrë që më pas magjia ta bëjë të vetën. Jo! Edhe pse shpirti binjak është gjysma tjetër, edhe pse përfaqëson diçka që të takon në mënyrë të natyrshme, edhe gjërat që të takojnë duhet të meritohen!

Ky ishte mësimi i fundit që Sh-ja donte ta mësoja. Mësimin që nuk mund të ta mësojnë as mësuesit më të mirë të kësaj bote. Mësimi i pjekurisë.

3

Kush është Edith-i?

Për ty është vetëm një vajzë më shumë. Mund ta shohësh çdo ditë duke ecur në të njëjtat rrugë. Ndonjëherë kokulur dhe shpeshherë e përhumbur në mendime. Në ndonjë ditë të bukur, nëse je me fat, do të mund ta ndiesh fuqinë e krahëve të shpirtit të saj. Mbrëmjeve, rëndom mund ta shohësh të dehur dhe të hidhëruar me të gjithë botën. Mund të habitesh duke e parë se si ajo është në gjendje të vuajë për njerëzit që nuk e meritojnë dashurinë dhe kujdesin e saj. Por e tillë është ajo. Edith-i është harmonia e të kundërtave.

Ajo mund të të duket tepër e rëndomtë, por mos u mashtro. Edith-i është shumë më shumë. Andaj ajo ka nevojë për lirinë e saj, sepse ajo ka një mesazh për të dhënë. Një mesazh që do ta dëgjojnë të gjitha ato vajza dhe gra që ndiejnë thundrën e egër të botës. Ato që do të refuzojnë të jenë vetëm hije dhe që do të mbledhin guxim të jenë diçka më shumë. Edith-i do ta bëjë këtë, sepse ajo është një magjistare e lindur e kohës së re. Një apostull i agimit të pestë, drejt të cilit pandalshëm po shkon njerëzimi. Ky është sekreti i saj.