~ Edith ~

Fuqia e mendimeve

1

“Mendimet kanë fuqi!” na tha Sh-ja, ndërsa na shpjegonte përse flakët nuk e kishin djegur lëkurën e Lizës. “Derisa ishte nën hipnozë, Liza ishte e lirë nga ndikimet e jashtme. Ishte e lirë nga lodhja që sjellin dëshirat. Ajo ishte e tëra e përqendruar që flakët të mos e digjnin lëkurën e saj. Dhe flakët nuk e dogjën.” “Po si është e mundur kjo?” e pyeti Liza, e cila, po ashtu si ne të tjerët, ishte e befasuar.

“Sepse mendimet janë energji e pastër”, ia ktheu Sh-ja. “Dhe, si çdo formë tjetër e energjisë, nëse përqendrohet në një pikë të vetme, drejt një caku të vetëm, ndikon në realitetin fizik përreth.”

“Domethënë duhet të kemi kujdes se çfarë mendojmë?” ndërhyra unë, pa u menduar mirë. Në çast u pendova pse e thashë këtë, sepse disa nga shokët e grupit u zgërdhinë. Por Sh-ja më erdhi në ndihmë.

“Sa më shumë ta njohësh veten, aq më shumë duhet të jesh i kujdesshëm”, m’u përgjigj Sh-ja dhe me zërin e tij kumbues tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. «Çdo gjë, përfshirë edhe vetë universin, është një projeksion mendor. Universi është i pafund, vetëm sepse shtrihet si një mendim i vetëm dhe i pandashëm brenda mendjes së Krijuesit. Në fakt, nuk është as edhe një milimetër më i madh sesa njeriu mund ta përmbledhë në mendjen e vet. Sa herë që i mbyllim sytë, secili nga ne mund ta ndiejë pafundësinë e universit, sepse edhe njeriu është pjesë e universit, është pjesë e këtij projeksioni të madh mendor”, tha Sh-ja dhe përsëri na përmblodhi të gjithëve me një shikim të vetëm.
Të gjithë kishim lexuar për teoritë se realiteti ynë i të jetuarit është vetëm një iluzion, një projeksion. Ishte kjo po e njëjta teori që më vonë do të nxiste Hollivudin të realizonte filma si Matrix apo Kati i trembëdhjetë, por asnjërit nuk na kishte shkuar ndër mend se edhe njeriu mund të projektonte diçka të vetën. Së paku, një gjë e tillë na dukej e pabesueshme.

“Gjithçka në natyrë është në lidhje të ndërsjellë”, vijoi Sh-ja. “Bota, gjithësia, quajeni si të doni, nuk është vetëm një hapësirë që shtrihet në pafundësi, por është një gjë e gjallë. Gjithçka, përfshirë edhe neve, ekziston brenda kësaj gjëje të gjallë. Në qendër të të gjithë kësaj është energjia e pastër e jetës, që frymon në çdo gjë. Ky është shpirti i botës! Ajo që filozofët e vjetër e quanin Anima Mundi dhe për të cilën kanë shkruar aq shumë. Forca e padukshme që frymëzon artistët dhe të gjithë mendimtarët. Dhe vetëm nëpërmjet shpirtit të botës, njeriu mund të bëhet një me Krijuesin, sepse Krijuesi është gjithçka, është në gjithçka dhe përtej çdo gjëje. Por për këtë mbase do të flasim herë tjetër.” Fytyrat e shumicës së shokëve dhe shoqeve të grupit tregonin doza dyshimi. Për shumicën prej tyre këto eksperimente ishin vetëm një argëtim më shumë, një mënyrë misterioze për t’u dukur në modë. Ata ende nuk ishin gati t’i kapërdinin konceptet kozmologjike që na shpjegonte Sh-ja. Si duket, Sh-ja e kuptoi këtë dhe prandaj e ndërpreu shpjegimin. Por unë nuk isha si të tjerët. Për mua fjalët e Sh-së kishin shumë kuptim. Tashmë e kisha ndier shpirtin e botës dhe e dija se ajo për çka fliste Sh-ja ishte shumë e vërtetë, por nuk dija ta shpjegoja ashtu bukur dhe rrjedhshëm, siç kishte bërë ai. Aty për të aty e ndava mendjen se duhej të flisja sy ndër sy me Sh-në. Më duheshin përgjigje.

2

Pas kësaj dite, Sh-ja u tregua më i përmbajtur dhe nuk hapi më asnjë temë të vështirë. Madje u kujdes që edhe eksperimentet në grup të ishin të lehta. Grupi tani angazhohej në seanca të përbashkëta meditimi, ushtrime joge, si dhe në përpjekje që të mësonim teknikat themelore të hipnozës.

Një ditë, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit po diskutonin për ushtrimet e jogës, iu afrova Sh-së.

“Unë e kam ndier shpirtin e botës!” i thashë pa u menduar dy herë.
I tillë kam qenë gjithnjë. Pak i ngutur, por gjithsesi kjo ishte shprehje e kureshtjes së madhe që vlonte brenda meje.

“E di”, më tha ai.

Mbeta pa fjalë. Kjo nuk ishte përgjigjja që prisja. Isha mësuar me faktin se Sh-ja ishte tip i ftohtë dhe shumë serioz, por këtë nuk e prisja.

“Shihet në sytë e tu”, më tha ai. Dhe po ashtu ndodhi e pabesueshmja: Sh-ja buzëqeshi. “E kam vënë re që në ditën e parë kur të ftuam në grup.”

“Dua të di më shumë”, i thashë, tejet i entuziazmuar. “Dua t’i mësoj të gjitha.”

“Do t’i mësosh vetë”, ma ktheu ai shkurt. “Nuk janë gjëra që mund të t’i mësojë dikush.”

“Por…” Desha të them diçka, por nuk e dija as vetë se çfarë. E ndieja se Sh-ja kishte të drejtë dhe se pohimi im i pafjalë shihej në sytë e mi.
Ai buzëqeshi dhe më tha që të takoheshim të nesërmen vetëm ne të dy, por, para kësaj, unë duhej të përgatitesha. Sh-ja më udhëzoi që, para se të shkoja në takim, të bëja ritualin e pastrimit. Nuk është fjala për pastrimin fizik, por për atë shpirtëror. Në të vërtetë, ky është një ritual shumë i vjetër dhe është i përhapur në të gjitha kulturat. Kushti i vetëm i ritualit është që uji duhet jetë i rrjedhshëm. Kjo është arsyeja pse, për shembull, hindusët futen në lumenj. Gjon Pagëzori i kryente pagëzimet në lumin Jordan, ndërsa myslimanët marrin abdes vetëm me ujë që rrjedh.

Të nesërmen, para se të nisesha për në takim, u futa në dush dhe fillova ritualin. Uji duhet të prekë çdo pjesë të trupit, përfshirë edhe vrimat e veshit. Gjatë ritualit duhet të përqendrohesh në mendimin se uji jo vetëm po të shpëlan papastërtitë fizike, por edhe të gjitha energjitë negative.

Dhe ashtu bëra. E shkyça veten nga bota dhe u përqendrova vetëm në ritual. Është interesante se si përqendrimi i thellë krijon një ndjesi pothuajse erotike. Dallimi i vetëm qëndron në atë se, ndërsa ndjesia erotike, kënaqësia, nxisin adrenalinën brenda nesh, te përqendrimi i thellë kënaqësia nxit një ndjenjë paqeje. Një ndjenjë përkatësie dhe uniteti me diçka më të madhe. Dhe, në këtë gjendje paqeje, kisha përshtypjen se uji po vepronte si një magnet shpirtëror. Në çdo pikë që rridhte mbi trupin tim, ndihesha më i lehtë, më i lirë nga lodhja e shpirtit. Dhe, sa më shumë që lirohesha nga kjo lodhje, më dukej se po më zgjerohej shpirti.

Shpirti ynë është pjesë e pandashme e energjisë jetësore të Krijuesit dhe, si e tillë, është energji e pastër. Pavarësisht nga ajo që mendojmë për veten, shpirti ynë është energji e pakorruptueshme, e paprekshme nga çdo gjë e keqe që të tjerët mund të na bëjnë apo që ne mund t’ia bëjmë vetes. Kjo është një e vërtetë e madhe që ia mohojmë vetes çdo ditë. Duke besuar se e keqja është e fuqishme, shumë më tepër se ç’është në të vërtetë, ne e humbim besimin te kjo pastërti e pakorruptueshme brenda nesh. Rrjedhimisht humbim besimin edhe te vetja. Ky është edhe qëllimi i ritualit të pastrimit. Të çlirohemi nga ky iluzion dhe të ndiejmë fuqinë e pastërtisë brenda nesh, në mënyrë që, më pas, ta ndiejmë veten si pjesë e diçkaje më të madhe. Ta ndiejmë se si po na zgjerohet shpirti.