~ Edith ~

Dy fjalë

Të gjitha ngjarjet në këtë libër janë të vërteta, vetëm se kanë ndodhur në një dimension paralel.

 

Gjithçka në jetë është zgjedhje. Madje edhe situatat më të pashpresa, edhe ato, në thelb, janë zgjedhje. Edhe heshtja përballë një situate të rëndë është zgjedhje.

Gishti me të cilin mbajmë lapsin, po i njëjti gisht që përdorim kur shtypim tastierën e makinës së shkrimit apo të kompjuterit, mund të përdoret për shumëçka tjetër. Me po të njëjtën shkathtësi të mendjes, shumë lehtë, të bën vrasës profesionist, por ndërkaq, me shumë delikatesë, mund ta përdorësh në paralojën e dashurisë dhe të dallohesh si një dashnor i shkathët. Gjithçka varet nga zgjedhja se çfarë do të bësh me atë gisht.

Kam mundur të bëhem shumëçka në jetë, por kam zgjedhur që të jem i madh në sytë e mi. Me kohë kam kuptuar se vlerësimi nga të tjerët nuk të vjen kurrë para se të fillojmë ta vlerësojmë veten. Të vlerësojmë jetën, dashurinë, por edhe botën ku këto të dyja mund të frymojnë lirshëm.

Ky libër është një rrëfim për magjinë e zgjedhjes. Fuqia për të ndryshuar veten dhe botën qëndron në guximin individual për të zgjedhur. Në thelb, është vetëm një zgjedhje. T’i japim krahë njerëzores brenda nesh apo të ikim prej saj?

Prishtinë, tetor 2013