~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 7

Asnjëherë vetëm e çdo herë i vetmuar.

Që kur shkove ti, e ndiej errësirën përreth meje.

I dëgjoj zhurmat, klithmat, shkarravitjet e fshehura në errësirë.

Si një qiri i vjetër ngadalë po shuhem…

Fundi i botës nuk është ndryshe!

Është kjo që unë e ndiej sonte.

Një mërzi e shtrirë në të katër anët e botës.

Një mall i pafund, që do të bartet edhe në botën tjetër.

Një zemër e thyer dhe e shpërndarë gjithandej copë-copë.

Një zemër e zënë në befasi, e shembur si një kullë prej letre, e shkelur pa mëshirë nga ylli i vetëm që bënte dritë në universin tim.

E pyes Zotin:

“Pse aq shumë të dua unë ty?

Pse kurrë nuk pati një tjetër për mua?

 

Nga këto vargje mund ta kuptosh se edhe unë kam humbur njerëz që i kam dashur. Mbi të gjitha, tërë kohën e kam një në mendje. Një që nuk mund ta harroj kurrë. Një që në fund e kam zhgënjyer. Në çaste të rëndësishme, nuk kam arritur ta dëshmoj veten. Nga kryelartësia idiote, nuk e kam shprehur atë që vërtet kam menduar dhe kam ndier. Dhe askush nuk të pret përgjithmonë. Nuk priti as ajo.

Ajo ishte e sinqertë. Përndryshe nuk mund ta dashuronte kurrë një rebel si unë. Më dashuronte, edhe pse tërë kohën më thoshte se isha i papjekur. Por ajo e dashuronte këtë papjekuri brenda meje. Nëpër rrugët e ftohta të Prishtinës, më fuste krahun dhe e tëra strukej tek unë, thuajse donte të bëhej pjesë e qenies sime fizike. Në një rast kur na takoi dikush dhe na pyeti se a kishim ftohtë, që të dy njëherësh iu përgjigjëm se ishte dashuria ajo që na ngrohte. Dhe këtë vërtet e mendonim, ndonëse që të dyve, nga të ftohtit e madh, na dilte avulli nga goja.

Unë i adhuroj femrat me taka elegante. Eleganca m’i trand themelet e burrërisë. Ajo e dinte këtë dhe vetëm për hatrin tim, tërë kohën mbante taka. I mbathte dhe njëherësh përpiqej të më shpjegonte se takat mbathen vetëm në raste të veçanta dhe jo tërë kohën. Ndërsa unë i doja tërë kohën. Madje edhe në shtrat. Taka në shtrat. Ajo edhe këtë e bënte. Që të gjitha vetëm për hatrin tim. Që të gjitha vetëm për të më bërë mua të lumtur.

“Dua të çmendem për ty! Dua të çmendem bashkë më ty!” ofshante ajo, ndërsa takat e saj ndonjëherë edhe i shqyenin dyshekët. I shqyenin dhe ne pastaj qeshnim si të marrë. Ofshama dhe të qeshura. Ekstazë që nuk mund të përshkruhet.

Sa herë që mendja ime e humb ndjenjën e kohës dhe hapësirës, më kujtohet mënyra se si më përqafonte ajo. Më kujtohet se si, në çdo përqafim, më thoshte se sa shumë më dashuronte. Më kujtohet shtrëngimi i saj, që sikur kishte frikë se do të më humbte. Më kujtohen thonjtë e saj, gërvishtjet në shpinë, në çastin kur përjetonte orgazëm dhe shpërthente në ulërima. Më kujtohen kafshimet e saj, shenjat që më linte në vendet e dukshme të qafës. Shenja që edhe unë i doja dhe nuk i fshihja asnjëherë. I quaja shenja të pronësisë. Dëshmi se isha i saji.

Por, përkundër të gjithave, në fund unë e zhgënjeva! Zhgënjeva të vetmin njeri që diti të më bënte tejet të lumtur.

Sot isha duke menduar pikërisht për këtë. Isha në gjendje transi. Dhe në çast u zhvendosa në kohën kur rrugët tona u ndanë.

Mjafton vetëm një xixë,

Qoftë edhe nga larg,

Dhe si i dehur zhvendosem në një botë tjetër,

Në një qytet fantazmash, të pushtuar nga hije kujtimesh,

Aty ku vazhdimisht më ikën nëpër turma,

Aty ku të ndiej se si më përvidhesh nga reflektimet e xhamave. Edhe takat e tua i shoh kudo,

Ato që i mbathje vetëm për hatrin tim,

Tak… tak…

Ritëm elegant,

Simfoni e përkryer.

Edhe një mijë vjet të jetoj, askush nuk mund të më ketë ashtu si më pate ti.

Ti këtë e di,

E di se këto fjalë shpërthejnë nga kthinat e hirta të zemrës sime, Ato që ende janë vetëm të miat,

Aty ku ndjenjat e mia shtrihen në pafundësi,

Aty ku përgjithmonë jeton dashuria ime për ty,

Ajo që i mbijeton çdo furtune dhe tërmeti,

E vetmja që do ta marr me vete edhe në botën tjetër.

Nuk ka gjë më të keqe se sa kur e zhgënjen një njeri që të dashuron.

E di se ka shumë nga ata që nuk mërziten për këtë. Ka shumë nga ata që mburren se e kanë zhgënjyer dikë. E shohin si zotësi!

Ti mos u bëj njeri i tillë.

Mos u bëj nga ata që mburren me zemrat që kanë thyer.