~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 61

Ecja tunelit të errët që e quaja jeta ime.

Nuk shihja asgjë.

Por unë prapë vetëm ecja

Shembesha.

Përplasesha.

Shpirti jo vetëm që më thyhej, por edhe pikonte gjak.

Kullonin varrat.

Por unë vazhdoja të ecja.

Ecja nëpër tunelin tim të errët që e quaja jetë.

Ecja me një shpresë se Zoti do të tregonte mëshirë edhe për mua.

I kapur si një i verbër pas një fije shprese se, një ditë, do të të gjeja ty dhe se ti do të hapje një dritare

Një dritare sa për të kaluar një rreze e vogël.

Vetëm një rreze.

Aq sa ta ndizte flakë zemrën time….

Ta dridhte gjithçka brenda meje dhe ta zgjonte shpirtin tim nga gjumi!

E atëherë kur e humba çdo shpresë, atëherë kur bota më mposhti, kur ligësia, prapësia dhe kotësia e atyre që kanë kohë të merren me punët e të gjithë botës arriti të më përgjunjte, mu atëherë erdhe ti dhe e hape atë dritare.

Dhe në çast shndriti gjithçka.

Shkëlqeu në çdo anë.

Shpresë…

Dritë…

Edhe njëherë do të isha vetja.

Edhe njëherë mund të ngrihesha aty ku e kam vendin.

Të prekja atë që nuk mund të preket.

Të fluturoja e të shkoja aty ku të tjerët nuk mund të shkojnë. Aty edhe e ndjeva…

E ndjeva se dashuria, ashtu si je mësuar ta kuptosh ti edhe krejt bota që sillet përreth teje, nuk kishte vend në këtë mes.

Sepse, ashtu si të kanë mësuar, dashuria është vetëm një fjalë.

Derisa unë …

Unë e ndjeva se kjo është shumë më tepër se fjalë.

Është diçka që mund ta përkufizosh vetëm ti. Dhe që mund ta kuptoj e ta ndiej vetëm unë!

E tani përsëri eci. Por eci në një rrugë të re!

Ec në një rrugë që nuk e di se ç’emër ka.

Mbase nuk është më as jetë!

Por së paku nuk është më tunel i errët!