~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 59

Sonte ndihem sikur të jem kthyer edhe një herë në fillim. Thuajse jam kthyer në fshatin Hade.

Unë e dua jetën, sepse jam i bindur për brishtësinë e saj. E kam dëshmuar se si, për të ndërtuar diçka, ndonjëherë duhet një jetë e tërë, ndërsa për t’u rrënuar duhet vetëm një çast i vetëm. E dua jetën. Dua ta jetoj çdo çast, sepse çdo çast që jetojmë është dhuratë. Një rast për të njohur veten. Një rast më shumë për t’u afruar me njerëzit e dashur. Një rast më shumë për gjithçka. Sepse, nëse ky çast ikën, mund të mos ketë më rast të dytë.

Mendoj se këto që thashë i shpreh më së miri një dramë e shkurtër, që e kam shkruar ndërsa mendoja për sfida të ngjashme. Dramën e kam titulluar Përgjithmonë dhe ka vetëm dy personazhe: ushtari dhe gruaja e tij.

Ngjarja zhvillohet në një livadh përplot me lule të bukura. Në mes gjendet një shtëpi e vogël, ndërsa livadhi është i rrethuar me një gardh. Ushtari është në anën e jashtme të gardhit, ndërsa gruaja brenda. Ajo nuk mund të shohë se ç’ka përtej gardhit. E tërë ngjarja zhvillohet në një dimension misterioz. Një purgator ku dhimbja dhe gëzimi bashkëjetojnë përgjithmonë.

Ushtari: Ajo është duke ëndërruar për mua. Tërë ditën e kalon duke pritur çastin se kur do të kthehem. Ajo i do lulet.

E do bukurinë e tyre, ndonëse asnjë lule nuk mund të barabitet me bukurinë e saj. Ajo është më e bukur se çdo lule.

Gruaja është duke përkëdhelur lulet dhe buzëqesh.

Ushtari: Sa herë jam larg saj, i mbyll sytë. Dhe shoh se si ajo buzëqesh. Shoh erën që i kalon nëpër flokë dhe ia ndiej aromën. Ndiej se si aroma e saj kalon nëpër çdo pore të qenies sime.

Gruaja e re këput disa lule dhe i mban në duar. Ajo nuk mund ta shohë ushtarin.

Ushtari: Më kujtohen fjalët e saj…

Gruaja: Lule për ty!

Ushtari: Ajo më sillte lule. Vetëm me një fjalë mund ta bënte çdo djalë për vete, por ajo më kishte zgjedhur mua. Kur afrohej, fytyra i skuqej aq shumë sa shokët e mi ndonjëherë qeshnin me fjalët e saj.

Gruaja (vazhdon): Tungjatjeta! Lule për ty!

Ushtari hap portën e gardhit dhe hyn në livadh. Gruaja tani e sheh.

Gruaja: Ja ku është ushtari im! Sapo i mblodha këto lule për ty.

Ushtari (i merr lulet): Asnjë lule nuk i afrohet bukurisë tënde.

Gruaja: Mos bëj lajka. Unë vetëm ty të dukem e bukur.

Ushtari: Nuk janë lajka. Ti je lulja që Perëndia e ka krijuar të lulëzojë vetëm në kopshtin tim.

Gruaja (e turpëruar): Unë i dua lulet, sepse ato janë për ushtarin tim. Tash po të bëj gati ujin që të lahesh. Ushtari duhet të lahet.

Ai e puth.

Gruaja (vazhdon): Më trego për betejën.

Ajo qesh dhe e kap për dore. E tërheq si fëmija kur dëshiron të luajë.

Ushtari: Eja tek unë. Dua që aroma jote ta ngrohë shpirtin tim.

Ajo bën sikur ikën.

Gruaja: Më trego një herë për betejën. Dua të di si e ka kaluar ditën ushtari im.

Ushtari: Ushtari yt është lodhur sot.

Gruaja (vazhdon të luajë): Ushtari im nuk lodhet kurrë. Ushtari im është më i fortë se Herkuli.

Ushtari e afron pranë vetes dhe ulen.

Ushtari: Ishte ditë e rëndë. Gjithë kohën e kemi mbajtur kokën përkulur në istikame, por nesër do të jetë edhe më keq. Tanket e armikut janë afruar shumë dhe do të na sulmojnë.

Gruaja: Nesër dua të vij edhe unë. Dua të jem pranë teje. Ti nuk e di se sa të vështirë e kam kur rri kështu, përherë në pritje. Nuk dua të pres lajme për ty. Dua të jem me ty!

Ushtari: Jo!

Gruaja: Jo?

Ushtari: Jo! Ti do të rrish këtu.

Gruaja: Unë dua të vij. Të jem pranë teje gjithë kohën… (mendohet). Si në përrallat e bukura, ku princesha kujdeset për kalorësin e vet. Kushedi, ndoshta unë do të jem shpëtimtarja jote!

Gruaja e re buzëqesh. Merr një lule dhe e vë te flokët. Llastohet e bën sikur po merr poza para fotoaparatit. Ushtari e pranon lojën e saj. Ia prek faqet e pastaj ia rregullon lulen pas veshit.

Ushtari: Në istikame, princesha do të përlyhej me baltë!

Gruaja: Por ti përsëri do të më doje, apo jo?

Ushtari: Unë do të të dua tërë jetën. Do të të dua edhe të leckosur. Do të të dua edhe kur të plakesh. Do të të dua edhe atëherë kur nuk do të jem më.

Gruaja lëviz dhe i bie në gjunjë, sikur i lutet.

Gruaja: Atëherë, a po më merr nesër?

Ushtari e shikon me dashuri. Vazhdon ta përkëdhelë, sikur po e sheh për herë të fundit.

Ushtari: Pse më zgjodhe mua?

Gruaja: Të zgjodha? Nuk po të kuptoj.

Ushtari: Ne ishim aq shumë, kurse ti erdhe drejt e tek unë.

Gruaja: Ndërsa ti frikoheshe më shumë se unë dhe mendo- je se femra nuk duhet t’ia shprehë dashurinë mashkullit. Para meje nuk ishe edhe aq trim.

Ushtari: E pranoj. Para teje ishte më vështirë, sepse e dija që kishte djem edhe më të pashëm se unë.

Gruaja (me shumë intimitet): Ju meshkujt nuk mund ta kuptoni arsyen pse ne dashurohemi! Pasi të pashë, e kuptova se ti je ushtari im. Më pëlqente qëndrimi yt! Mënyra se si më shikoje, edhe pse më dukej se nuk më shihje. Asnjë mashkull nuk më shikonte ashtu! E dëgjova zemrën time dhe t’u afrova. Tash zemra më thotë se duhet të vij me ty. Të jem afër teje në të mirë dhe në të keq.

Ushtari: Nuk e kuptoj! Çka të duhet të jesh në betejë? Është me rrezik!

Gruaja (mundohet ta bindë): Ushtari im do të më mbrojë përgjithmonë. Mos u bëj si babai im. Ai vdiq i ri, kur ishte në kurbet (mendon një çast dhe trishtohet). Nëna ime kurrë nuk ia fali vetes përse nuk shkoi pas tij. Unë nuk dua të të humbas

ty-

Gruaja bën me duar dhe tregon hapësirën përreth. Është e mbushur përplot emocione.

Gruaja (vazhdon): Dua të jem me ty tërë jetën dhe kudo që të shkosh. Dëshiroj që të jetojmë në fund të botës në një livadh përplot me lule, ku do të ishim vetëm ne dhe shtëpia jonë.

Ushtari e tërheq pranë vetes. E ledhaton. E shtrëngon.

Ushtari: Ti nuk do të më humbasësh kurrë. Do të më presësh këtu në shtëpinë tonë. Dije se, kur jam në rrezikun më të madh dhe kur plumbat më fluturojnë mbi kokë, unë kam për çka të jetoj. Nëse ti nuk je këtu, nuk do të ketë më shtëpi ku mund të kthehem. Më beso se nuk do ta gjeja rrugën që të vija tek ti.

Gruaja (lutet): Po unë dua të jem me ty!

Ushtari: Jo! Është shumë me rrezik (ndërkaq e ledhaton). Mos u brengos. Edhe pse rri këtu, ti tërë kohën je me mua.

Dashuria jote është ajo që nuk i lë plumbat të më godasin dhe unë çdo herë kthehem. Edhe nesër do të kthehem.

Gruaja ngre kokën dhe e shikon me dashuri. Mendon diçka, pastaj i hyn sërish në gji.

Gruaja: Më premto se, nëse e humb rrugën, do të më ëndërrosh përgjithmonë!

Ushtari (duke e puthur në ballë): Të premtoj!

Ushtari mbyll sytë. Errësirë.

Kthehet drita. Tani ushtari është jashtë gardhit, aty ku ishte në fillim. Gruaja është brenda. Nuk e sheh ushtarin.

Ushtari: Gjithçka donte, ishte të rrinte me mua. Në praninë e saj, koha e humbte kuptimin dhe jeta bëhej më e bukur për t’u jetuar. Unë në mëngjes shkova në betejë, kurse armiku erdhi pas shpine. Ajo u vra po atë ditë! Dhe unë nuk isha aty që ta mbroja. Më pas isha unë ai që nuk e doja jetën pa të. Pas asaj dite, gjithnjë isha i pari në vijë të frontit. I pari në kërkim të vdekjes. Rrugës së vetme që do të më çonte tek ajo. E ëndërrova ditë e natë, por nuk e gjeta më. Dhe kur e kërkon vdekjen, ajo edhe të gjen. Një ditë ramë në pritë të armikut dhe prej aty diçka më solli këtu. Këtu, në livadhin plot me lule, ku jemi vetëm ne dhe shtëpia jonë. Nata e prek ditën dhe dita e prek natën, por asnjëra nuk e zë tjetrën. Këtu çdo herë është dita e parë e martesës sonë, por ajo nuk mban mend asgjë. Nuk e di se çfarë ndodhi të nesërmen.

Gruaja (brenda gardhit, vazhdon të merret me lulet): Lule për ushtarin tim.

Ushtari: Sapo shkel në livadh, ajo më tregon se lulet janë për mua, por unë i them se nesër më duhet të shkoj. Ajo dëshiron që unë ta marr me vete, por nuk mundem, ngaqë e di se do të jetë betejë e përgjakshme. Dënimi është që këtë ditë ta përjetoj pafundësisht. Dhe çdo herë ta ndiej se atë ditë duhej të kisha qenë pranë saj.

Ushtari përsëri hap portën e gardhit dhe hyn në livadh. Gruaja e sheh dhe gjithçka përsëritet nga fillimi.

Gruaja: Ja ku është ushtari im! Sapo i mblodha këto lule për ty.

Ushtari (i merr lulet): Asnjë lule nuk i afrohet bukurisë tënde.

Dhe kështu kjo ditë përsëritet ditë pas dite. Përgjithmonë!