~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 57

“Aktori është dikush që nuk të kushton fare vëmendje, po nuk i fole vetëm për veten e tij”, ka thënë Marlon Brando. Dhe ai e ka ditur mirë se ç’ka thënë, sepse ishte vetë aktor.

Ndonjëherë më duket se edhe ne jemi duke u shndërruar në aktorë të këqij. Dhe kulmi është se kopjojmë keq e dalë- ngadalë kthehemi në egoistë. Ka plot kësi egoistësh, të cilët, nëse nuk shohin diçka me interes për veten, as që të dëgjojnë se çfarë u thua.

Shumë nga njerëzit që kemi përreth, kanë prirjen ta shtrembërojnë atë që shohin apo dëgjojnë. I keqkuptojnë qëllimet e të tjerëve dhe nguten të gjejnë të meta pothuajse në gjithçka.

Kjo ndodh sepse ne jemi shndërruar në qenie që i frikësohemi së vërtetës!

Sepse ajo na tremb!

Disa njerëz, fenomenet dhe zhvillimet e sotme mundohen t’i përshtatin e t’u japin kuptim sipas mendësisë së tyre, vetëm e vetëm që ato të mos bëhen shkak për të rrënuar skemat e përditshmërisë së tyre. Kjo ndodh jo se ata i duan vërtet këto skema, por ngase janë bërë të varur prej tyre. Por ndoshta edhe ngaqë, me kohë, ata e kanë humbur besimin se mund të jetojnë ndryshe. Se mund të jetojnë më mirë.

Kur diçka nuk del ashtu si e kanë menduar, ata menjëherë gjejnë një arsye për të përçmuar, një arsye më tepër për të thënë: “E po, kjo nuk është e mirë!”

Duke vepruar kështu, njeriu i sotëm po e mbyll veten në guaskë. Dhe për këtë arsye, njerëzit që kemi përreth, çdo ditë e më shumë bëhen më të ftohtë dhe më brutalë.

E mjerueshme!

Ka ardhur koha të ndryshojmë!