~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 55

Jeta është e bukur, por ti nuk arrin dot t’i gëzohesh kësaj bukurie. Ajo të përvidhet atypari, ndërkohë që ende mendon se çfarë mund të thonë njerëzia nëse bën kështu apo ashtu.

Qejfet nuk janë bukuria e jetës. Ti këtë tani e di mirë dhe do të jepje gjithçka në këmbim të mundësisë për të qenë zotëruesi i vetëm i kohës dhe i ëndrrave të tua.

Gjithnjë do ta përligj ngurrimin tënd, sa herë t’i shoh të tjerët që përgjojnë pas mureve të padukshme dhe përpiqen të ta kufizojnë vullnetin dhe lirinë. Por kurrë nuk mund të pajtohem me ty, nëse i lejon ata që të ta kufizojnë edhe mendjen.

Muret brenda mendjes janë më të rrezikshmet, sepse ato ta vrasin shpirtin. Edhe trimin më të madh e kthejnë në një qyqar që trembet nga hija e vet. Dashurinë e kthejnë në dhimbje pa fund.

Ato të mbyllin çdo derë dhe jeta të bëhet një labirint i frikshëm!

Shembi muret dhe mos lejo të zënë vend në mendjen tënde. Dhe më beso: kur një ditë, atëherë kur ta kuptosh se nuk ke më kohë as për të ëndërruar, këtë nuk do t’ia falësh vetes.

Edhe Perëndia betohet për madhështinë e kohës. Dhe askush pos teje nuk është përgjegjës për mënyrën se si e shfrytëzon kohën.

Mjaft e ëndërrove lirinë. Jetoje atë!