~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 53

Jeta jonë sot është bërë ashtu si magjepsja e mistershme te kënga Hotel California. Mund të përpiqemi sa të duam që të largohemi, por asnjëherë nuk do të ikim dot.

Megjithatë, edhe pse kështu, edhe në këtë realitet fshihet një kuptim.

Ai gjendet diku në lëmshin e intrigave, dhimbjeve, skllavërisë moderne që jetojmë, gëzimeve të rralla, aventurave që ëndërrojmë. Diku aty fshihet edhe kuptimi i secilit prej nesh. Mos harro se ne jemi ata që jemi edhe për faktin se jetojmë të rrethuar me po këto gjëra prej të cilave nuk mund të ikim dot.

Në këtë lëmsh, dikush prej nesh e gjen kuptimin e dikush tjetër rrënohet në dëshpërim.

Nuk është mirë që këta të fundit t’i gjykojmë si të dobët. Sot, bota jonë, e kthyer për së mbrapshti, ka fuqi që një të lig të na e shesë për të shenjtë, ndërsa një njeri të mirë, pa mëshirë, ta çojë në dyert e çmendinës.

Sonte bashkëndiej me ty dhe më gjithë ata njerëz të mirë që ftohtësia e kësaj bote i ka çuar deri në kufijtë e fundmë të durimit.

Mos u dorëzo!

Çdo përpjekje për ta kufizuar lirinë e njeriut, pavarësisht magjisë së magjepsjes me të cilën e ka maskuar veten, nuk ka shpëtuar pa u rrënuar nga brenda.

Izolimi i njeriut të përgjegjshëm, të lodhur nga kotësitë dhe intrigat djallëzore, një ditë do të marrë fund. Të jesh më se e sigurt se do ta shohim fundin e kësaj bote që të ngulfat ty e së bashku të dëshmojmë lindjen e një bote të re.