~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 50

Muza ime!

Atëherë kur mendimet e mia fluturojnë shumë lart mbi re, larg prej prapësive dhe intrigave të kësaj bote, aty prej ku shoh edhe fundin e botës, aty të shoh, të ndiej e të çmoj më shumë.

Aty të shoh si një flutur!

E lehtë, e gatshme të fluturosh shumë larg, por edhe shumë e brishtë.

Si një grua plot vrulle pasioni.

Grua me fantazi të fuqishme!

Grua që e çon mashkullin e saj deri në kufijtë e çmenduri- së me fuqinë e pasionit të saj.

Të çmoj si një mbulojë që fsheh brenda vetes një thesar. Një thesar që nuk mund të këmbehet me asgjë të kësaj bote. Një thesar që vetëm mund të kundrohet për një çast të vetëm. Në një çast kur koha do të ndalet, e tashmja do të bëhet e nesërme, e nesërmja do t’i bëjë vend ditës tjetër, por me më shumë dëshirë do të kthehej në dje, në mënyrë që gjithçka të niste edhe një herë nga fillimi.

Një grua që ndien, dashuron dhe sakrifikon si asnjë grua tjetër.

Një grua që tërë jetën e ka kërkuar dashurinë, por asnjëherë nuk e ka gjetur atë që ka kërkuar.

Në sytë e mi ti je e veçantë!

E veçantë në një milion mënyra. Dhe gjithnjë del një mënyrë tjetër, ku përsëri të shoh si të veçantë.