~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 5

Pak më parë, nuk isha edhe aq i sinqertë me ty. Ajo historia ime në gjimnaz nuk ishte hera e parë kur, në emër të dashurisë, kisha shkruar diçka. Për ta plotësuar rrëfimin tim, do të më duhet të kthehem shumë vite më parë. Duhet të kthehem në kohën kur isha nxënës i klasës së pestë. Atëherë kur, si fillorist, e përjetova dashurinë për herë të parë në jetën time.

Është e vërtetë se dashuria e parë në jetë nuk mund të ha- rrohet. Të tjerët mund të japin shumë shpjegime pse dhe si, por dashurinë time të parë unë nuk mund ta harroj, sepse është një nga kujtimet më të bukura të jetës. Është kujtimi që edhe sot e kësaj dite më mbush me energji dhe vetëbesim.

Ajo ishte shoqja ime e klasës. Nuk më kujtohet se si ndodhi që u dashurova me të, por di se vetëm për shkak të saj shkoja në shkollë. Mësimi fillonte në orën shtatë të mëngjesit, ndërsa unë zgjohesha që në pesë dhe gjithnjë isha i pari që mbërrija në shkollë. Doja të isha aty kur ajo hynte në oborr të shkollës dhe të ndiqja çdo hap që hidhte. Jetoja për këtë përjetim. Aq shumë e dashuroja, saqë çdo mbrëmje, para se të flija, i lutesha Zotit që, kur të shkoja të nesërmen në shkollë, kujdestari i klasës të ma ndërronte bankën dhe të më ulte pranë saj. Lutesha fort, lutesha me të gjithë shpirtin dhe gjumi më zinte me lutje në gojë. Dhe që nga ajo kohë, besoj se mrekullitë vërtet ndodhin, sepse Zoti i dëgjonte lutjet e mia. Sa herë që kujdestari vendoste të na ndërronte vendet ku uleshim, mua gjithnjë më caktonte të ulesha afër saj.

Aty, ulur pranë saj, shestova gjatë dhe fillova shkarravinat e para në jetën time. Në fletoren e detyrave të shtëpisë shënova emrin e saj dhe më poshtë shkrova fjalën TË dua. Pas kësaj, shkrova vargjet e para në jetën time.

Fjalë kam sa të duash, por asaj nuk di si t’ia them,

më lehtë do të rrotulloja botën sesa t’i dal përballë!

Gjithçka do jepja për një rast të vetëm!

të vërtetën t’ia them.

t’i tregoj se çmendem pas saj!!!

Të shkruarit më jepte kënaqësi, sepse më dukej se në çdo shkronjë që shkruaja më hiqej një pjesë e barrës që ndieja në shpirt. Por e tëra nuk përfundoi me kaq!

Në një nga ditët e mëpasme, mami e gjeti shkrimin në fletore dhe ndodhi e pabesueshmja. Ajo menjëherë e hapi çështjen me tim atë dhe sillej si e ndërkryer.

“Djalin e kam të shumë të vogël. Është vetëm njëmbëdhjetë vjeç. Kushedi kush është ajo! Djali mund të tronditet rëndë në shpirt”, thoshte ajo.

Ishte e brengosur tej mase, sepse kishte një lidhje tejet të fuqishme me mua. Sillej sikur dikush do të më vidhte prej saj. Aq e çuditshme më dukej sjellja e saj, sa për një çast pata frikë nga ideja e të dashuruarit. Reagimi i nënës për pak sa nuk ma mbushi mendjen se dashuria qenkësh një aventurë e rrezikshme. Babai më doli krah duke thënë se unë isha djalë dhe këto gjëra ishin normale, por asgjë nuk mund ta bindte mamin.

Sa herë më kujtohet ajo skenë, gjithnjë qesh, por atëherë ky përjetim ishte një lloj rrëmeti në llojin e vet. Nga turpi, atë ditë u arratisa nga shtëpia dhe tërë ditën bubërrova rrugëve. Kështu bëra derisa u lodha dhe në fund u detyrova të kthehesha në shtëpi. Kokulur dhe në faj, a thua se kisha bërë ndonjë krim. Ndërkohë, babai kishte vendosur t’i shkonte pas fijes dhe t’ia bënte qejfin nënës. Posa hyra në shtëpi, ata më ulën përballë tyre dhe filluan të më shpjegonin përgjegjësitë e jetës. Nga ajo bisedë mbaj mend vetëm këshillën e mamit: të kisha kujdes dhe të ruhesha se mos të më thyhej zemra. Dhe kështu shpëtova! Megjithatë, atë natë përsëri u luta që, nëse kujdestari na i ndërronte vendet, unë përsëri të ulesha pranë asaj vajzës. Asgjë tjetër nuk kishte rëndësi.

Sido që shkuan punët, vajza që dashurova për herë të parë në jetën time, kurrë nuk e ka kuptuar çfarë kam ndjerë për të. Gjithçka e kam ndryrë siç ruhen sekretet e madha shtetërore. Ndërkohë, jeta na ka çuar nëpër udhë të ndryshme. Megjithatë, sa herë që e takoj, diçka ndizet brenda shpirtit tim. Diçka që më bën të qesh, por edhe të mallëngjehem po ashtu.

Shumë vite më vonë, ndërsa sillja ndërmend këtë histori, ndjenjat e mia, besimin tim të palëkundur në mrekullinë e dashurisë, kam shkruar këto vargje:

Të besosh në dashuri, sot të quajnë ëndërrimtar,

Ta vlerësosh dhe ta kërkosh përkëdheljen,

Të shprehësh ndjenjat që ke në zemër,

Rrezikon të të përqeshin pas krahëve.

Njeriu që ende guxon të ëndërrojë, harron se është vetëm një dritë e vetmuar në kopshtin e madh përplot me ëndrra të shuara.

A thua, vallë, duhet të heqim dorë nga ëndrra jonë, vetëm e vetëm pse të tjerët i kanë vrarë të vetat?

Nëse nuk guxojmë ta vlerësojmë më të bukurën në zemër, atëherë ç’tjetër gjë e bukur mbetet për të jetuar?

Le të të quajnë ëndërrimtar!

Ëndërro, se jo të gjithë ata që marrin frymë me të vërtetë jetojnë!