~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 49

Ne jetojmë me idenë se gjithçka e jona do të jetë përgjithmonë këtu. Nuk jemi fare të vetëdijshëm se kohën nuk mund ta kemi përherë me vete e për vete, se ajo që kemi në të vër- tetë është vetëm ky çast, ky ‘tani’, që shpesh na ikën ende pa e shijuar mirë.

Nuk jemi aq të vetëdijshëm për këtë realitet dhe, kur na ndodh ta shohim veten ngushtë, e para gjë për të cilën pendohemi është se si nuk u kushtuam rëndësi gjërave atëherë kur kishim mundësi ta bënim këtë. Askush nuk bën përjashtim në këtë rast dhe të gjithë jemi njëlloj, madje edhe unë jam i tillë.

Mendo për atë se si, tërë jetën, mund të jemi një askush, një hiç mbase, por kur na duket se kemi filluar të tërheqim vëmendjen e të tjerëve, atëherë bëhemi egoistë. Krijojmë iluzionin se brenda natës jemi bërë dikush. Se madje kjo na jep edhe të drejtën ta shohim veten më lart se të tjerët. Sillemi sikur çfarë s’kemi bërë, por në të vërtetë ajo që kemi bërë është lënia pas dore e atyre me të cilët deri dje kemi ndarë gjithçka. Madje lëmë pas dore edhe ata që i kemi për zemër.

Prandaj dhe dua të rrëfej për mbretin e radiovalëve në Nju-Jork. Njujorkezët e donin, sepse ai i prekte në zemër. E donin se ai i nxiste të mendonin për veten e tyre. I inkurajonte të mos iknin prej realitetit, sepse ai u thoshte: “Nëse ikën një herë, do të ikësh gjithnjë.”

“Sonte do të të dërgoj një mendim”, thoshte ai në fillim të emisionit. Dhe pastaj vazhdonte: “Por ti duhet të dëgjosh me zemër e jo me vesh.” Aq bindës ishte, saqë çdo dëgjuesi i dukej se ai fliste vetëm për të dhe për askënd tjetër.

Programi i tij ishte i posaçëm, sepse ai nuk e bënte për të tjerët, por për kënaqësinë e shpirtit të tij. E dinte se, po të arrinte të vendoste kontakt me shpirtin e tij, atëherë do të bënte të njëjtën gjë edhe me gjithë të tjerët.

Mbreti i radiovalëve besonte se, përkundër dallimeve që na krijon jeta, të gjithë shpirtrat janë të lidhur me një energji të madhe të përbashkët, një burim themelor, prej nga buron e tërë dëshira për jetë. Për këtë ai thoshte “dëgjo me zemër”, sepse po aq sa ia thoshte dëgjuesit, ai në të vërtetë ia thoshte edhe vetes. Kështu ishte derisa, një ditë, edhe atij i ra fama në kokë.

Harroi se si është të dëgjosh me zemër. Filloi t’i nënvlerësonte edhe njerëzit përreth vetes dhe kështu ata u larguan prej tij. U largua madje edhe e dashura e tij, sepse me egoizmin e vet ai nuk i la vend askund.

“Unë jam numri një, më njohin të gjithë, kam këtë femër, mund të kem këtë dhe atë… “, i kishte thënë njëherë ai asaj dhe me këtë ia kishte thyer zemrën.

Gjithçka kishte ndryshuar. Po i pëlqente të bëhej njëfarë faktori. Nuk ishte më ai i pari. Dhe, sado që përpiqej, në pro- gramin e tij mungonte ajo magjia e fillimit me të cilën ai de- përtonte nëpër zemra. Askush nuk e dëgjonte më, sepse ishte bërë i rëndomtë!

Mbreti i radiovalëve e kuptoi gabimin, por nuk mund ta kthente më kohën mbrapsht! E kishte humbur veten dhe për këtë askush nuk i kishte faj. Dikush tjetër do të vazhdonte t’ia ushqente egon, por mbreti nuk do të ishte më mbret. E dinte se para se të përpiqej e t’i kthente sërish njerëzit e tij të dashur, ata që i kishte dëbuar me egoizmin e vet, duhej të ri- gjente veten.

I braktisi të gjitha. Braktisi luksin dhe gjithçka tjetër. Brodhi gjithandej dhe nuk gjeti vend përveçse tek të pastrehëve që flenë rrugëve. Mbreti i radiovalëve përfundoi mbi betonin e ftohtë. Nuk kishte se ku të shkonte më poshtë se aq. Kishte zbritur në shkallën më të ulët të shoqërisë

Dhe pikërisht ai beton, ku gjithkujt do t’i zhbëheshin edhe ato pak shpresa që mund t’i kishin mbetur, u bë vendi ku ai gjeti gjithçka që kishte humbur. Duke i parë të pastrehët se si gëzoheshin për diçka të vogël që mund ta gjenin apo kur zinin ndonjë mik zemërmirë, e kuptoi se sa e thjeshtë është bukuria e kësaj jete. E kuptoi se, për të qenë i lumtur, nuk të duhen pallate, as pasuri të mëdha e as miq të zgjedhur. E kuptoi se lumturia mund të arrihet edhe me ato pak gjëra që mund t’i kesh afër.

Aty në betonin e ftohtë e kuptoi domethënien e fjalës “së bashku në të mirë dhe në të keq”. E kuptoi se sa e vështirë është për të qenë mik me dikë, sepse miqësia nuk merr kuptim vetëm atëherë kur të intereson dikush, por edhe atëherë kur të duhet të ndash diçka nga vetja. E kuptoi se të dashurit e tij gjithnjë kishin hequr diçka nga vetja për të. ET turpërua ngaqë ai nuk u kishte dhënë asgjë atyre.

“Isha në fund, më poshtë nuk kisha se ku të shkoja më”, i tha së dashurës së vet pas disa muajsh zhdukjeje nëpër trotuaret e ftohta. “E pashë se gjithçka është e rrejshme. E pashë se e vetmja gjë që ka vlerë është ai çasti kur kemi dikë pranë. Dikë që është aty edhe atëherë kur të gjithë të tjerët na kthejnë shpinën. Mbi të gjitha, kuptova domethënien e vërtetë të fjalëve se përveç teje nuk dua asgjë më shumë”.

“Gjërat në jetën tonë ndryshojnë shpejt”, ishin fjalët e para në programin e tij, kur u kthye në studio. Mbreti i radio-valëve e kishte gjetur magjinë e humbur dhe tani po përpiqej të hynte sërish në zemrat e njerëzve.

“Kjo botë është tepër e thjeshtë. Jemi ne ata që e komplikojmë atë. Gjithnjë kërkojmë diçka më tepër dhe nuk e kuptojmë se dëshirat nuk kanë të sosur. Por lumturia nuk arrihet duke plotësuar dëshirat. Lumturia jote merr trajtë në lumturinë e atyre që ke pranë”, thoshte ai dhe në zërin e tij dallohej qartë se këto fjalë vinin nga dikush që e kishte parë botën nga poshtë. Ndërsa shihte se po arrinte të depërtonte edhe në zemrat më të ftohta, mbreti i radiovalëve thoshte: “Mos prit të katandisesh e pastaj t’ia dish vlerën gjithë asaj që ke sot”.