~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 43

Çfarë presim nga njeriu më i dashur atëherë kur nuk ndihemi mirë, por edhe atëherë kur ndodh të jemi mirë?

Mund të duket e habitshme, por në të dyja gjendjet kemi nevojë që njeriu më i dashur të bëhet pjesë e asaj që ndiejmë.

Jemi mësuar me të menduarit “dua të jesh me mua atëherë kur jam keq”, por e vërteta është se ne lëndohemi shumë më tepër atëherë kur njeriu i dashur për ne ngurron të bëhet pjesë e lumturisë dhe e gëzimit tonë.

Tani kujto një situatë kur je ndjerë mirë për diçka, nuk ka fare rëndësi për çfarë, dhe kishe një arsye të papritur që të ishe i gëzuar dhe i lumtur. Në këtë gjendje entuziazmi, nisesh drejt njeriut më të dashur që ke. Ashtu me buzëqeshje në fytyrë, me sy që të shkëlqejnë, me një entuziazëm që nuk e ke përjetuar më parë, me një motiv më shumë për të jetuar. E bën këtë ndërsa me mend përfytyron skenarin e një takimi të magjishëm! Krejt çka dëshiron është që njeriu më i dashur për ty ta ndiejë këtë ndryshim të madh në frekuencat e shpirtit tënd dhe të lumturohet bashkë me ty.

Po çfarë ndodh ndërkaq?

Nuk sheh shpërthim entuziazmi, nuk ka përqafime pa fund, nuk ka puthje pasiononte… Dhe në vend të këtyre, përballë ke një fytyrë të habitur, që nuk di si të reagojë, a thua se lumturia jote i ka prishur punë dhe e frikëson atë!

Çfarë dëshpërimi!

Nuk po them se kështu është çdo herë, por ama ndodh në më të shumtën e herëve. Unë i kam përjetuar të dyja gjendjet. Atë kur njeriu që të dashuron bëhet pjesë e çdo suksesi, po ashtu edhe kur njeriu që të dashuron frikohet nga suksesi yt.

Zakonisht, dashuria zbehet nën ndikimin e egoizmit dhe shtytjes iracionale që të kontrollojmë gjithçka, përfshirë edhe lumturinë e njerëzve që i duam. Pa arsye frikohemi se, nëse diçka tjetër, veç nesh, e bën të lumtur njeriun që duam, atëherë ky nuk do të ketë më nevojë për ne. Frikohemi ngaqë mendojmë se do ta humbim.

Çfarë marrëzie!

Dashuria nuk merr kuptim atëherë kur, ata që i dashurojmë, janë keq! Dashuria duhet të na udhëheqë sidomos atëherë kur ata që i duam janë të lumtur. Vetëm në lumturi dashuria shpërthen në dimensione të papërfytyrueshme dhe atëherë krijojnë të gjithë artistët e botës!