~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 42

Tregimi për Hanën përfundon me një dëshmi ku heroi im shpreh dashurinë e tij. Por, siç ndodh zakonisht ndër ne, kjo dëshmi erdhi shumë më vonë. Dhe jo atëherë kur duhej.

Diku pak para mëngjesit, kur edhe sikur të donim më nuk kishim fuqi për asgjë, ajo ishte shtrirë në kraharorin tim. Aty edhe më pyeti. Më bëri pyetjen që nuk ma kishte bërë kurrë.

“Pse dhe sa më dashuron?” më pyeti ajo.

Heshta. Luajta rolin e burrit krenar, burrit që nuk i tregon ndjenjat e tij të vërteta. Dhe në vend që të thosha të vërtetën, i thashë të flinte, se kishte vajtur vonë.

I thashë kështu, ndonëse shpirti im donte t’i thoshte këto fjalë: “Falë teje, merr kuptim dhimbja ime dhe di që, edhe sikur të ikësh larg me mijëra kilometra, as edhe një çast të vetëm nuk do të arrish të dalësh nga zemra ime. Jo se je më e bukura. Ti e di se kam pasur edhe më të bukura! Jo se je më e mençura. Ti sheh përtej gënjeshtrave dhe e di se, sado që flasim, ne meshkujt frikohemi nga femrat e mençura. Ti bën atë që askush prej atyre që kanë zënë kohën time, nuk arritën kurrë ta bënin. Vetëm ti beson tek unë. Vetëm ti, tërë kohën, e ndjeve se brenda meje është dikush tjetër. Dhe se ai dikush tjetër është vetja ime e vërtetë. Dha se qejfet e magjepsjet nuk mund ta shuajnë etjen e përjetshme që të mundon sa herë ikën nga vetvetja. Më beso, njeriu mund t’ia arrijë të fshihet nga njerëzia, por sado të përpiqet, nuk mund të fshihet nga vetja. As edhe të gjitha zhurmat e kësaj bote nuk mund ta heshtojnë zërin që vjen nga brenda. Zërin brenda meje, që vetëm ti e dëgjove. Si nuk e sheh që, në përqafimin tënd, ndihem si një fëmijë i llastuar, që mendon se tërë botën mund ta nënshtrojë? Në puthjen tënde ndiej fundin e botës, që më pas të përjetoj lindjen e një bote të re. Në afshin tënd shoh përtej shqisave dhe atëherë magjepsem në atë që fshihet në syrin e njeriut. Vetëm në klithjen tënde e njoh emrin tim. Para teje çarmatoset epshi im. Ndihem i vogël, ngase nuk arrin ta kuptosh se për mua je gjithçka.”

Këto fjalë mendova. Fjalë që ishin kudo në shpirtin tim. Dhe përsëri nuk ia thashë kurrë.