~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 41

Sonte dua të të tregoj për Hanën.

Në rrëfimet e mia e quaja Hana[1], sepse ajo ishte për mua si drita që shihej natën.

Ajo është një nga personazhet më të dashura që kam krijuar ndonjëherë. Dhe frymëzimi, natyrisht, nuk më ka ardhur nga yjet. Ndonjëherë, kur më kujtohet se si e kam krijuar këtë personazh, më duket se gjithçka ishte vetëm një ëndërr.

Më poshtë është ky fragment nga tregimi Hana.

Hana nuk ishte si të tjerat.

Ajo ishte ndryshe. Dhe më e bukur se gjithë të tjerat.

Një kombinim fatal, që e çonte deri në qiej fantazinë e çdo mashkulli.

Ndërsa ai ishte mbret i rrugëve, por para saj ishte i pafuqishëm.

“Oh, Zot, sa e bukur është!” mendoi dhe as për një sekondë të vetme nuk mundi ta largonte shikimin nga sytë e saj.

Kaçurrelat e Hanës sikur spërkateshin nga rrezet e diellit, ndërsa buzëqeshja e saj ishte si një vegim i përrallshëm. A thua se ajo nuk ishte e këso bote. A thua se bukuria e saj ishte krijuar vetëm për të magjepsur.

“Si është e mundur që një engjëll si ti të dashurojë një vagabond si unë?” pëshpëriti, ndërsa dora e tij kaloj lehtë nëpër kaçurrelat e saj.

“Ndoshta për shkak se zemra gjithnjë është rebele. Dhe kjo zemër rebele mund të dashurojë vetëm një si ti. Mund të më shajnë. Le të thonë çfarë të duan, por unë gjithnjë do të dashuroj vetëm vagabondin brenda teje”, tha ajo dhe në çast iu hodh në qafë.

Mbase arrite ta kuptosh se rrëfimi për Hanën është si ai rrëfimi për të bukurën dhe bishën. Një rrëfim për një dashuri që lind në rrethanat më të pakuptueshme. Por edhe një dëshmi tjetër se zemra udhëhiqet nga sytë e shpirtit.

 

[1] Edhe pse këto shënime janë fiction, këtu autori i referohet personazhit Hana nga romani “Edith”