~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 35

Mos prano ta kuptosh dashurinë si vuajtje!

Edhe nëse të ndodh që të vuash, kjo nuk do të thotë se dashuria është vuajtje! Përvoja jote e hidhur dëshmon vetëm këtë: njeriu që ia ke kushtuar pjesën më të bukur të shpirtit tënd, thjesht nuk është i denjë për dashurinë tënde. Për më tepër, kjo nënkupton se, diku në botë, është dikush tjetër që ende nuk e ke takuar, por është i vetmi person që mund t’u japë kuptim të vërtetë ndjenjave të tua.

Kurseje veten!

Mos i hidh diamantet mes derrash, se ata i shkelin ngaqë kujtojnë se janë guralecë. Të tillë janë edhe ata që nuk e shohin të bukurën në dashurinë tënde dhe bëjnë gjithë kohën rolin e idiotit.

Nuk jemi shumë të ndryshëm unë dhe ti.

Që të gjithë e lëndojmë veten njëlloj.

Çuditërisht, të gjithë jemi të gatshëm ta bëjmë kurban edhe dashurinë, në përpjekjen idiote për të ruajtur një krenari të rreme.

Ndonjëherë e pyes veten: “A jemi vërtet të aftë për të qenë të lumtur?”

Mendoje!

Të thotë se të dashuron!

Në të njëjtën kohë të detyron të përulesh.

Nuk e di nëse kjo mund të jetë dashuri!

Ngrije kokën.

Mos u tremb.

Thuaji: “Nëse vërtet më do, atëherë mos lejo që gjunjët e mi të përgjaken duke ecur zvarrë. Më ngri më këmbë dhe më përqafo fort. Dua ta ndiej se kam dikë për të cilën të luftoj në këtë botë.”

E nëse përsëri të shpërfill? Atëherë nuk paska shpirt për të të dëgjuar.

E nëse nuk ka shpirt, atëherë nuk ka as zemër që të të dashurojë.