~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 30

Le të flasim sonte përsëri për gjëra të bukura. Le të flasim për ato gjëra që, në shikim të parë, na duken të kota, por që në të vërtetë na e mbushin jetën me bukuri. Ngjarje që na kujtojnë se thelbi i jetës është lumturia.

Një mik i imi më pyeti sot: “A mund ta dashurosh dikë dhe në të njëjtën kohë të vazhdoni të jeni miq?”

Përgjigjja ime ishte: “Jo!”

Miqësia përfundon mu në atë çast kur fillon dashuria.

Nëse je mik me dikë, atëherë duhet të gëzohesh edhe ti bashkë me mikun apo miken, kur ai apo ajo dashurohet me një tjetër. Duhet të buzëqeshësh edhe kur ai ose ajo, para syve të tu, përqafohet me dikë tjetër. Duhet ta bësh këtë, megjithëse përbrenda vlon i tëri nga inati dhe xhelozia. Të përmbahesh, edhe pse e di se nuk ka njeri në këtë botë që do të mund ta dashuronte dhe të kujdesej për të më tepër se ti. Ta përballosh në heshtje ndjenjën poshtëruese të pafuqisë, kur sheh se dikush, që ndoshta nuk është i denjë për asgjë, ta merr prej duarsh ëndrrën e jetës tënde.

E kur kësaj i shtohet edhe frika se, po t’ia shprehësh ndjenjat, atëherë do ta humbasësh edhe si mik apo mike, atëherë kjo bëhet vërtet dramatike.

 

I pafuqishëm,

përgjithnjë në pritje të çastit kur do ta përmbledh veten,

nga shpirti ta nxjerr të vërtetën.

Edhe sikur e tërë bota të të shembet

në fytyrë e t’i them

se kurrë nuk mund të jemi vetëm shokë!

Ti mund të thuash se është lehtë të flasësh për diçka që nuk e përjeton vetë.

Secili prej nesh ka përjetuar gjendje të tilla. Nuk besoj të ketë njeri që, në një çast të jetës së tij, të mos ketë ndryrë një pasion të fshehtë për një mike apo kolege pune.

Isha tetëmbëdhjetëvjeçar dhe sapo e kisha filluar jetën si student. Asokohe e kisha fort për zemër matematikën dhe një shoqe imja nga koha e gjimnazit më kërkoi ta ndihmoja. Çdo mbrëmje, duhej ta ndihmoja në matematikë. Herë në shtëpinë time e herë në të sajën. Çdo mbrëmje, deri në mëngjes, ne ishim bashkë.

Ajo ishte shumë e bukur. Dhe shumë ngashënjyese. Por unë luaja rolin e murgut përpara saj, ndonëse përvëlohesha nga brenda. Kohë pas kohe, më thoshte edhe fjalë me dy kuptime dhe bënte gjeste provokuese. Ndërsa unë bëja sikur nuk kuptoja. Pastaj ajo nisi të fliste madje edhe për fantazitë e veta seksuale. Unë sërish shmangesha, bëja kinse sikur nuk kuptoja dhe e ktheja sërish bisedën aty ku e kishim lënë: tek ushtrimet e matematikës. Kjo ishte e vetmja gjë që dija të bëja. Nga turpi, doja të ruaja imazhin si djalë shkollar që merret vetëm me mësimet. Që të mos e zgjas shumë, ne ndërkohë u afruam aq sa, duke mësuar, na rastiste edhe të na zinte gjumi në të njëjtin shtrat. Kishte raste kur, diku para mëngjesit, tashmë të lodhur nga formulat dhe problemat e matematikës, ajo më ftonte në shtrat.

“Fli gjumë, se je lodhur”, më thoshte ajo dhe pastaj shtrihej pranë meje. Flinim të dy në të njëjtin shtrat, por asgjë nuk ndodhi. Asnjëherë. Unë kisha frikë të bëja ndonjë lëvizje të pakontrolluar dhe kujdesesha gjithnjë të rrija në anën time të shtratit, sikur mes nesh të ishte një mur i padukshëm. Nuk kisha guxim. Mendoja se, po të bëja atë që kisha në mendje e që në të vërtetë e dëshiroja, do ta humbja si mike.

Në fund doli se unë isha një derdimen e asgjë më shumë. Pasi ajo e dha me sukses provimin e matematikës, ma tregoi një aforizëm, ku mesazhi ishte i qartë: mashkull që nuk arrin të mposhtë frikën e vet, nuk do të arrijë asgjë në jetë. Nuk e kam parë më kurrë që atëherë. Ajo ishte zhgënjyer me burrërinë time.

Vetëm pak kohë më vonë, ndodhi historia tjetër. Me zonjushën në fjalë ishim takuar rastësisht, por mes nesh përnjëherë u krijua një lidhje e fuqishme. U bëmë shumë të afërt me njëri-tjetrin. Një energji ngazëlluese na rrethonte sa herë që rrinim bashkë. Unë e kuptoja se ajo ndiente diçka për mua, ndërsa ajo shihte si buthtonte pasioni në sytë e mi.

Problemi ishte se si t’ia shprehja atë që ndieja. Nuk mund ta përfytyroja një situatë ku mund ta dëshpëroja atë dhe më pas të shkëputej çdo lidhje mes nesh. Për mua gjendja u bë e padurueshme. Diçka duhej bërë. Dhe atëherë vendosa të mos e bëja dy herë të njëjtin gabim. Le të dilte ku të dilte! I mbylla sytë dhe i thash vetes se më keq nuk mund të bëhej. Më mirë të digjesha i tëri në çast, sesa çdo ditë nga pak.

Në rastin e parë që m’u dha, ia bëra të ditur atë çka ndieja për të. Jo vetëm që ia shpreha me fjalë, por edhe mora guximin që të provoja ta puthja. Dhe më doli mirë. Përshkrimi i mëtutjeshëm është i panevojshëm.

Jam shumë i bindur se edhe ti ke pasur një përvojë të ngjashme. Të gjithë, së paku një herë në jetë, kemi pasur këso dilemash. Kjo dëshmon se jemi njerëz dhe jo robotë. Prandaj njeriu duhet ta shprehë atë që ka në mendje dhe në zemër.

Sido që të jetë përfundimi, së paku nuk jeton më me gënjeshtrën, duke u shtirur dhe duke i shtypur ndjenjat. E vërteta do të të çlirojë! Jo vetëm ty, por edhe atë.